• “Jam thirrur në cilësinë e të pandehurit, po nuk lejoj askënd të më fyejë e ofendojë. I lutem trupit gjykues t’u kërkojë dëshmitarëve të zbatojnë ligjin e mos të përdorin fjalë të papërshtatshme”.afrim imajRebelimi i Kadri Hazbiut në proces vjen menjëherë pas dëshmisë së Myftar Memisë, tropojanit që ka informuar Enver Hoxhën në vitin ‘55 për lidhjet e krerëve të Sigurimit me grupin puçist të Bedri Spahiut, Tuk Jakovës e Beqir Ballukut. Është një çast kur i dënuari i viteve ‘50, guxon në sallën e gjyqit ta quajë Kadri Hazbiun një prostitutë agjenturore. Kjo për ish-ministrin e Brendshëm është më shumë se një fyerje e zakonshme, prandaj i përkujton drejtuesit e seancës të zbatojnë rregulloren gjatë komunikimit në proces. I menjëhershëm vjen ndërkaq reagimi i Rrapi Minos, prokurorit të seancës, njëherazi edhe prokuror i përgjithshëm: “Ti Kadri mos na trego ligjin, unë nuk kam pse të pres vendimin e gjykatës për të të thirrur kriminel, terrorist, tradhtar!” Sakaq në sallë ndizen sërish polemikat. E gjithë kjo vjen pas rrëfimit të gjatë të dëshmitarit nga Tropoja, i cili ka deponuar ndër të tjera se Kadri Hazbiu me suitën e tij, jo vetëm kanë fshehur të vërtetën për aktivitetin agjenturor të Beqir Ballukut, por me njerëzit e tyre, në mënyra të ndryshme, kanë krijuar kushte të shkëlqyera për njerëzit e Koci Xoxes e të Pandi Kristos pas dënimit të tyre. Për momente të tëra pastaj vazhdojnë dialogët e ish-krerëve të sigurimit të Shtetit me kryetarin e trupit gjykues dhe prokurorin e seancës. Në këtë përballje dallohet një lloj rebelimi i Kadri Hazbiut, i cili jo vetëm që nuk pranon për sa e akuzojnë, por kundërshton edhe mënyrën e procedimit në proces...MYFTAR MEMIA: Shkova takova Kadri Hazbiun, më priti në zyrë. Biseduam rreth dy orë. Pyetja e parë ishte kjo. Kam kërkuar të takohem. Po më tha ke kërkuar të takohesh me mua. Po i thashë kam kërkuar për një çështje shumë të rëndësishme. Në letrën që na u punua për Beqir Ballukun që është tradhtar. Ka pasur një të dhënë shumë më herët për këtë, i them unë. Jo s’ka pasur asnjë të dhënë. Ti e di, i thashë. Jo tha nuk di asgjë. Si ka mundësi të mos dish, bisedojmë si komunistë i thashë, si ka mundësi të mos dish, ti je titullar. Unë tha nuk di asgjë, na thuaj çfarë ka. Letra e KQ që punohej dhe që thuhej për Beqir Ballukun unë kuptova se edhe Mihallaq Ziçishti e kishte me hile, unë shkova te Kadri Hazbiu për të denoncuar Mihallaq Ziçishtin. Ja thashë të gjitha. Më dëgjoi deri në fund më tha mua bravo, të lumtë. Më tha që këto t’i shkruash në letër dhe porositi Faredinin për të zbritur të nesërmen në mëngjes për të marrë letrën në dorë kur t’ia çoja unë të mbyllur në zarf. Unë meqë ia thashë në mënyrë analitike me gojë, në letër ia shkrova në mënyrë shumë të sintetizuar. Unë e dija çështjen tani meqenëse fill pas kësaj Beqir Balluku u arrestua dolën komplotistët e grupit, thashë çështja u sqarua dhe shyqyr që shpëtuam. I qetë unë në punën time. Mirë por ngjarjet u zhvilluan siç i kemi jetuar e jemi dëshmitarë të gjallë, kryekomplotisti vrau veten, Llambi Ziçishti u arrestua, me vete thashë, se pa dalë Mihallaqi përsëri gjërat nuk kanë shkuar deri në fund, por është puna tashi deri sa. Kur në librin që na u punua tabloja sinoptike për agjenturën e për gjithë ato ngjarje, arrita në konkluzion të plotë që bashkëpunëtor i kryekomplotistit është Kadri Hazbiu. Edhe atëherë nxitova, shpejtova sa munda edhe lajmërova Partinë, denoncova Kadri Hazbiun si tradhtar dhe bashkëpunëtor me Mehmet Shehun e grupin e tij. Kështu ka qenë shoku kryetar... MIHALLAQ ZIÇISHTI: Dëshmia është plotësisht e drejtë. Ato janë dhënë ashtu siç thotë ai tekstualisht. Ato janë manipuluar nga unë dhe Kadri Hazbiu.... ARANIT ÇELA: Ia ke vënë në dukje Kadri Hazbiut këto që thotë ky... MIHALLAQ ZIÇISHTI: Kadri Hazbiu i ka marrë vetë....ARANIT ÇELA: Më përpara....MIHALLAQ ZIÇISHTI: Nuk më kujtohet e kam vënë në dijeni apo nuk e kam vënë.ARANIT ÇELA: Mirë ndonjë gjë tjetër ke.MIHALLAQ ZIÇISHTI: Jo.ARANIT ÇELA: Mirë ulu. I Pandehur Kadri Hazbiu ke gjë.....KADRI HAZBIU: Mua ky problem nuk më kujtohet. E kam lidhur me atë që thotë Mihallaq Ziçishti që më ka njoftuar. S’më ka njoftuar. Myftari e ka bërë detyrën si komunist e si patriot kjo nuk diskutohet. Edhe që më ka denoncuar mua në ato pozita që është nisur ai të drejta është e padiskutueshme që ka vepruar drejt.  RRAPI MINO: Një pyetje kisha shoku kryetar. Si nuk doli kjo letër në komplotin e Beqir Ballukut.KADRI HAZBIU: Për këtë të jap unë shpjegime...RRAPI MINO: Po ta dimë neve, se ky ka bërë letër... KADRI HAZBIU: Do përsëris ato që kam thënë në procesverbalet e mija... ARANIT ÇELA:  Mor po ka dalë kjo çështje e këtij... KADRI HAZBIU: Mua më është thënë më ’74, në kohën kur Beqir Balluku ishte akoma i pa arrestuar... RRAPI MINO: Mund të të ketë thënë hetuesi... KADRI HAZBIU: Kështu ma ka thënë. Mua me çiltërsi nuk më kujtohet takimi, nuk më kujtohet. Kam parë letrën a tij atë për informacionin e bërë. Megjithëse hetuesit më kanë thënë të ballafaqohem, u kam thënë as nuk e diskutoj që ai ka të drejtë dhe flet të drejtën, por mua nuk më kujtohet kjo çështje. Ç’kam bërë unë për këtë letër? As ajo nuk më kujtohet. Por letra është gjetur në sektorin që i përket të vinte do të thotë i është dhënë Feçor Shehut edhe ka përfunduar në sektorin përkatës. Çfarë kam disponuar unë lidhur me këtë, unë nuk jam në gjendje të them. Përgjegjësinë e mbaj unë, që nuk e ndoqa domethënë këtë problem të rëndësishëm....  ARANIT ÇELA: Po përse cili ishte shkaku që nuk e ndoqe, se ti e pranon se e ke marrë, edhe Mihallaqi e pranon...  KADRI HAZBIU: Nuk e ndoqa kupton kam dhënë shpjegimet e mija se ka qenë në një periudhë që unë isha i ngarkuar me shumë detyra të tjera dhe duket më përfshiu rutina dhe nuk kërkova se çfarë u bë.GJYQTAR FERDIU: E po nuk ishte problem rutinë, ky ishte problem shumë i rëndësishëm...KADRI HAZBIU: Problem i rëndësishëm i nderuar ndihmësgjyqtar ishte, ashtu është... GJYQTAR FERDIU: Logjika këtu e hiqte këtë vlerësim dhe këtë ndjekje....KADRI HAZBIU: Në atë kohë vinin shumë informacione në adresë të Beqir Ballukut... GJYQTAR FERDIU: Ky fliste për një gjë konkrete...  KADRI HAZBIU: Pikërisht për këtë unë ndjej përgjegjësi. Çfarë detyre i kam dhënë unë tashi drejtorit ose zëvendësministrit përkatës, unë nuk jam në gjendje të shpjegoj përderisa nuk më kujtohet hiç... MYFTAR MEMIA: Kadri Hazbiut i kërkova atëherë ato që ju thashë edhe më tha se ja ku e ke Mihallaqin, domethënë se Mihallaqi ishte sekretar i parë në rrethin përkatës. Ja ku e kemi Idriz Seitin e Kristo Mushin, do t’i verifikoj. Prandaj i kërkoj trupit gjykues ti kërkojë llogari armikut Kadri Hazbiu, vetëm unë dua ta di pa hyrë në sekretet shtetërore që nuk më takojnë, dua të di a u vu në dijeni shoku Enver Hoxha për këtë informacion dhënë në maj, në qershor e deri në gusht të ‘55-ës apo jo. Këtë kërkova...ARANIT ÇELA: I pandehur Feçor Shehu. Di gjë ti rreth kësaj që thotë Kadri Hazbiu... FEÇOR SHEHU: Unë nuk di gjë. Vetëm di që është Ndoc Pali...  ARANIT ÇELA: Ti di Ndoc Palin, po Beqir Ballukun... FEÇOR SHEHU: Këtë çështje nuk e di fare....ARANIT ÇELA: Këtu është Beqir Balluku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu.MYFTAR MEMIA: Edhe Mihallaq Ziçishti...  ARANIT ÇELA: Po pse di ti Ndoc Palin dhe nuk di Beqir Ballukun.FEÇOR SHEHU: Beqir Ballukun e kemi hetuar neve... ARANIT ÇELA: Kadri Hazbiu thotë që unë këtë çështje ia kam kaluar  thotë me shënime a çfarë kam bërë Feçor Shehut... FEÇOR SHEHU: Nuk ka asnjë shënim ajo letra... ARANIT ÇELA: Nuk ka , e di ti mirë....FEÇOR SHEHU: Ma tregoi hetuesia... ARANIT ÇELA: Nuk ka asnjë shënim, ti porosi ke marrë... FEÇOR SHEHU: Nuk kam marrë... MYFTAR MEMIA: Mund të shtoj një gjë shoku kryetar... ARANIT ÇELA:  Po... MYFTAR MEMIA: Gjatë kohës në burgun e artizanatit të Ministrisë së Brendshme kam konstatuar, se këta ruanin mbeturinat e grupit të Koçi Xoxes. Grupi armiqësor i Koçi Xoxes me Pandi Kriston, Vaskë Kolecin e ç’ishin i trajtonin në mënyrën më të shkëlqyer, më mirë se edhe ordinerët që ishin dënuar për aksidente... ARANIT ÇELA: Atje në burgun e artizanit... MYFTAR MEMIA: Po aty. Këta trajtoheshin në mënyrë të veçantë një, e dyta kriminelë të dënuar, agjentë të thjeshtë e të inteligjencë servisit edhe në grupin e deputetëve e ish-deputetëve që kishin bërë 15 vjet burg, porsa dolën nga burgu u vendosën në punë të mira, në vende shumë të mira ndërsa unë rija 6 muaj pa punë.RRAPI MINO: Konkretisht... MYFTAR MEMIA: Amit Ystja i dënuar me grupin e deputetëve 15 vjet burg, sa doli shef llogarie. Isan Qereshniku ishte agjent i Fulcit, i dënuar disa vjet në burg, dilte përditë dhe vetëm natën paraqitej, dilte pinte kafe në Dajt çdo ditë. Kur u lirua e morën, Kadri Hazbiu me shokë dhe punonte në teknikën e Ministrisë së Brendshme. Ndërsa ndaj meje e shumë të tjerëve janë sjellë keq. Prandaj i lutem trupit gjykues që të ketë parasysh se këta, këto prostitute agjenture... KADRI HAZBIU: Mbaj gojën Myftar...  ARANIT ÇELA: Ke gjë për këtë defter shoku prokuror... RRAPI MINO: Unë mendoj që të arkivohet në dosje meqenëse ka vlerën e një prove... ARANIT ÇELA: Të gjithë shokët e trupit gjykues janë dakord...ARANIT ÇELA: I bashkëngjitet dosjes një defter, i cili mban në faqen e fundit shënime lidhur me datat që kanë të bëjnë... MYFTAR MEMIA: Vetëm data... ARANIT ÇELA: Tashti dëshmitari Memia mund të shkosh... (Pas largimit të dëshmitarit Myftar Memia bëhen 30 minuta pushim) KADRI HAZBIU: Në shpjegimin që dhashë pardje theksova se kundër meje është përgatitur një intrigë e madhe dhe për mua si njeri është përpunuar një opinion negativ... ARANIT ÇELA: Çfarë ka këtu... KADRI HAZBIU: Më falni, me falni... ARANIT ÇELA: Çfarë të fal, çfarë ke, çfarë do të thuash... KADRI HAZBIU: I lutem trupit gjykues të respektohen po të jetë e mundur rregullat që dëshmitarët të vijnë të japin dëshmi për atë që kërkohet dhe mund të bëjë dhe konsideracione, po të mos përdoret dëshmitari si ofendues, unë e kuptoj pozitën time ku jam i arrestuar, por nuk jam as tradhtar, as prostitutë, as kriminel.ARANIT ÇELA: Ti akuzohesh për tradhti ndaj atdheut. Shiko Kadri Hazbiu ki mendjen kur të kërkosh nga të tjerët duhet të kërkosh nga vetja, prandaj mundohu të respektosh rregullat...RRAPI MINO: Me termin e ligjit kështu quhesh, është tjetër punë çfarë do të bëjë gjykata, unë nuk pres që kur vendimi të marrë formën e prerë, je akuzuar për tradhti, për spiun, për puç, për terror, për komplot, të gjitha këto terma do t’i përdor..."Kadriu mbante lidhje të fshehta me Bedri Spahiun e Tuk Jakovën"Kadri Hazbiu ka fshehur lidhjet e Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës me zbulimin jugosllav. Akuza që adreson tropojani Myftar Memia për ish-ministrin e Brendshëm dhe zëvendësin e tij Mihallaq Ziçishti, ka për bazë të dhënat konfidenciale që ka marrë gjatë kohës së dënimit nga bashkëvuajtësi i tij, Ndoc Pal Guri, një prej eksponentëve të ndëshkuar për tradhti të lartë dhe bashkëpunim me agjenturat perëndimore. Malësori me të cilin ka ndarë të njëjtën qeli i ka thënë fillimisht në mirëbesim, se një grup komplotistësh në krye të udhëheqjes të kryesuar nga Bedri Spahiu dhe Tuk Jakova, po përgatisin një grusht shteti për të përmbysur diktaturën e proletariatit. I njëjti burim pak më vonë i ka thënë, se në këtë valle ka qenë edhe gjenerali Beqir Balluku me suitën e tij. Memia dëshmon në gjykatë, se menjëherë pas këtij informacioni ka gjetur rrugën e mundësinë për ta denoncuar gjëmën e madhe te kreu i shtetit i cili ia ka besuar ndjekjen e kësaj çështje, titullarëve të Ministrisë së Brendshme. Po pikërisht këtu është bllokuar çdo gjë, pasi, siç vëren dëshmitari nga Tropoja, të gjithë krerët e Sigurimit të Shtetit ishin pjesë e këtij komploti që kishte vepruar pas shpine qysh nga vitet e luftës. Në vijim, trupi gjykues kërkon shpjegimet e të pandehurve, të cilat çuditërisht janë të kundërta. Ndërkohë që  Mihallaq Ziçishti pranon çdo gjë nga akuza e dëshmitarit Memia, duke pohuar, se ka qenë edhe vetë një nga protagonistët e kësaj bande armiqësore, Kadri Hazbiu shpërfill gjithçka nga deponimet në adresë të tij. neser do te lexoniRrëfimi i Zoi Themelit: Si i shitëm agjentët tanë te zbulimi jugosllav.  Zbulimi tronditës: Sigurimi shqiptar ka ndihmuar Titon për shkombëtarizimin e Kosovës.Kushtet në të cilat ndërruan nënshtetësinë 390 mijë shqiptarë të Kosovës që u shpërngulën përdhunshëm në Turqi dhe roli i shërbimit të fshehtë në këtë tragjedi.A ishte e vërtetë që Kadri Hazbiu propozoi njësimin e platformës me atë të KGB-së gjatë një seminari në Rumani në vitin '57.