Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, lejon që të mbahet mbledhje edhe jashtë sallës, ku jemi mësuar t'i shohim gjithmonë.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, neni 3 dhe neni 4, lejon që mbledhja të mbahet edhe jashtë selisë së Kuvendit, shkruan lajmi.net.

E nuk duhet harruar, se Kuvendi me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve vendos ta ndryshojë Kushtetutën e Kosovës, aktin më të lartë juridik të shtetit.

Ja çfarë thotë rregullorja:

Neni 3

Selia e Kuvendit

Selia e Kuvendit është në Prishtinë.

Neni 4

Mbledhjet jashtë selisë

Kuvendi dhe trupat e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit.

E në nenin 6 tregon se çfarë mund të bëjnë ata me 2/3 e votave:

Neni 6

Kompetencat e Kuvendit

Kuvendi i Republikës së Kosovës i ushtron kompetencat në përputhje me nenin 65 të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

1. Miraton Kushtetutën, ligje, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera të përgjithshme.

2. Vendos ta ndryshojë Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të
Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që i mbajnë vendet e
rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë shumicë në
Kosovë.

3. Shpall referendum, në pajtim me ligjin.

4. Ratifikon traktate ndërkombëtare.

5. Miraton buxhetin e Republikës së Kosovës.

6. Zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

7. Zgjedh dhe mund ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me
Kushtetutën.

8. Zgjedh Qeverinë dhe mund të shprehë mosbesimin ndaj saj.

9. Mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat në bazë të
Kushtetutës dhe të ligjeve i raportojnë Kuvendit.

10. Zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në
përputhje me Kushtetutën.

11. Propozon gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.

12. Mbikëqyr politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë.

13. Jep pëlqimin për dekretin e Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

14. Vendos për çështjet e interesit të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj.