TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda e cilëson ngërçin e krijuar në gjyqin e Dritan Dajtit, si një situatë të jashtëzakonshme dhe kërkon ndihmën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për t'i dhënë zgjidhje çështjes me të nxehtë të momentit, që po krijon një precedent të rrezikshëm në drejtësinë shqiptare.

Seancat gjyqësore për të dyshuarin si autor i masakrës së 7 gushtit në Durrës, zvarriten prej afro dy vitesh, pasi asnjë avokat i caktuar kryesisht nuk pranon ta marrë në mbrojtje. Gjykata e Krimeve të Rënda, ka caktuar me radhë 119 avokatët e vendosur në listën kryesisht dhe në kushtet kur asnjë nuk pranon mbrojtjen, ka vendosur të trokasë në dyert e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për të gjetur zgjidhjen. "Janë thirrur të gjithë avokatët e listës së avokatëve kryesisht depozituar pranë Gjykatës dhe asnjë prej tyre nuk ka marrë përsipër të bëjë mbrojtjen e këtij të pandehuri". Për gjykatën, kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe kërkohet që secili të marrë përsipër përgjegjësitë ligjore për zhbllokimin e saj. Nga ana jonë janë bërë të gjitha përpjekjet për të thirrur, kontaktuar, gjetur e njoftuar të gjithë avokatët emrat e të cilëve gjenden në listën e avokatëve kryesisht. Meqenëse deri më tani, me gjithë përpjekjet e Gjykatës, nuk është bërë e mundur caktimi i një avokati mbrojtës, pasi të gjithë avokatët e thirrur nga Gjykata kanë refuzuar të paraqiten apo të marrin përsipër mbrojtjen, kërkojmë nga ana juaj si Këshill Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që të caktojë një avokat për të bërë mbrojtjen e të pandehurit Dritan Dajti", thuhet në shkresën e gjykatës.

Procesi ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për ekzekutimin e katër oficerëve të policisë në 7 gusht 2009 në Durrës, zvarritet prej afro dy vitesh, pasi asnjë avokat nuk merr përsipër ta mbrojë atë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)