Rumani

Rumania ka vendosur që ta rrisë taksën e vlerës së shtuar në 24% në një përpjekje për të zbutur deficitin e lartë buxhetor. Sipas Kryeministrit të vendit, rritja në masën 5% ishte një tentativë për të përfituar kredinë e shumëdëshiruar nga FMN prej 20 miliardë dollarësh. Kjo lëvizje vjen pasi Gjykata Kushtetuese e vendit ka vendosur që plani i qeverisë për të reduktuar pensionet nuk është kushtetues. Kjo ka krijuar një problem me kredinë e FMN-së. Por kritikët bëjnë të ditur se taksa e vlerës së shtuar e rritur në këtë masë do të godasë konsumin në vendet e BE-së. Vetëm me këtë rritje, sipas Kryeministrit të vendit, mund të arrihet edhe përfitimi i kredisë me FMN-në. Kjo rritje do të zbatohet në korrik. Në këtë mënyrë, Rumania do të renditet ndër vendet e BE-së që kanë edhe taksën më të lartë të vlerës së shtuar, sipas një studimi të KPMG. Të premten, Gjykata Kushtetuese nxori një vendim, i cili në fakt do të pezullonte ndihmën financiare të FMN-së. Por dje, Ministria e Financave për të risiguruar këtë ndihmë vendosi që të ngrejë TVSH me 5% për të ndrequr në të njëjtën kohë edhe problemet e deficitit buxhetor. Një masë tjetër, që pritet të merret nga qeveria rumune në kuadrin e shkurtimeve buxhetore, është edhe ngrirja e pagave në sektorin publik me 25%.








#