Çmimi i naftës po rritet dita ditës, për të pestën ditë me radhë, duke shënuar në tregjet ndërkombëtare dje çmimin 66 dollarë për fuçi. Çmimet po rriten pasi u morën shenjat për rimëkëmbje nga kriza ekonomike në SHBA, konsumatori më i madh i naftës në botë, gjë që çliroi konsumatorët individë në përdorimin e naftës, duke përmbysur kështu kërkesat dhe çmimet e dobëta të saj. Ministri i naftës në Arabinë Saudite, Ali Naimi, shtoi shqetësimet duke u shprehur se parashikohej që javën e ardhshme çmimi i naftës do të rritej sërish dhe deri në fund të vitit do të arrinte në 75 dollarë për fuçi. Ai ka deklaruar gjithashtu se vit pas viti çmimi do të rritet deri sa të arrijë në nivelin e korrikut të vitit të kaluar me 147 dollarë për fuçi”. OPEC ka njoftuar shkurtimin e prodhimit të naftës me rreth 4.2 milionë fuçi në ditë që në vjeshtën e kaluar në përpjekjet për të ri-ngritur çmimet. Shpesh shkurtimet në OPEC janë injoruar nga anëtarët e kartelës, por kësaj radhe 80 për qind e synimit të tyre, sipas gazetave ekonomike, është arritur. Ky shkurtim i kësaj radhe do të thotë rreth 5 për qind më pak nga kërkesat e botës për naftë. Luhatjet e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare reflektohen edhe në tregun vendas, kjo për vetë konjukturën që ka tregu, ku mbi 80 për qind e kërkesës për konsum plotësohet nga importi.