Historinë e shtatzënisë, e më pas të rrëmbimit të foshnjës në bark, e ka besuar më së pari ai, partneri i Griselda Zaimit. Elvis Rroshi, kryetari i ri i Bashkisë, e ka parë veten për herë të dytë në fokusin e medias, pas fitores së papritur në Kavajë. Por këtë herë, në një gjendje mjaft të sikletshme, aq sa për t’i kërkuar ndjesë gjithë opinionit publik për historinë shokuese të sajuar nga partnerja e tij. Në një deklaratë për mediat, të lëshuar pasditen e djeshme, Rroshi kërkon ndjesë për “tmerrin e lajmit, që rezultoi i pavërtetë”. Pa përmendur në asnjë rresht Griseldën, kryetari i Bashkisë së Kavajës ka pohuar se ka besuar se e vërteta ishte krejt ndryshe nga sa rezultoi. “Në emër të familjes sime, të babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmve, si edhe në emrin tim personal, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm, që sot rezultoi i pavërtetë. U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi kavajas, që ndanë me mua dhe familjen, orët e mia më të vështira të jetës, duke na ndenjur pranë gjatë kohës kur e vërteta për ne ishte fare tjetër nga sa doli”, - thotë në deklaratën e tij Elvis Rroshi. Në deklaratën-ndjesë të tij, Rroshi përmend edhe miqtë e tij të Partisë Socialiste, të cilët ishin në shtëpinë e tij në Kavajë mbrëmjen e së mërkurës. “U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste, që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time. Falenderoj prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. Ata bënë gjithçka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres”, - shton më tej Rroshi. Duke pohuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet, Elvis Rroshi ka shtuar se ndihet në një borxh më të madh me bashkëqytetarët e tij. “E vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë, është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndihem sot në një borxh edhe më të madh. Edhe njëherë ndjesë të gjithëve”, - e mbyll deklaratën e tij Elvis Rroshi. Në natë më parë, kryetari i Bashkisë së Kavajës, i kthyer me urgjencë nga Italia, pohoi për “Mapo”-n tronditjen e tij për lajmin. “Pres nga autoritetet e drejtësisë të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe të gjejë autorët”, - pohoi Rroshi në një bisedë telefonike. Edhe pse duket ende e pabesueshme si Elvis Rroshi nuk e ka kuptuar shtatzëninë e partneres së tij, burimet sqarojnë se largësia mes tyre, e rrëfyer në dëshminë e Griseldës, shpjegon gjithçka. Vetëm pak ditë pas zgjedhjes në krye të Bashkisë së Kavajës, Rroshi pohoi për një të përditshme se priste dita-ditës të lindte një djalë, e se madje kishin menduar edhe emrin që do t’i vendosnin. Ndryshe nga ç’u pohua ditën e parë të lajmit, Elvis Rroshi dhe Griselda Zaimi nuk ishin celebruar në martesë. 28-vjeçarja jetonte më së shumti në Tiranë, në shtëpinë e prindërve të saj, ndërkohë që kishte vizituar shumë rrallë edhe shtëpinë e partnerit të saj në Kavajë.