Të paktën nëntë persona janë vrarë në konfliktet e armatosura ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve në republikën ruse të Dagestanit. Sipas njoftimeve, në operacionet gjatë natës së kaluar kundër kryengritësve të armatosur, janë vrarë pesë pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme. Agjencia e lajmeve 'RIA Novosti' ka bërë të ditur se operacioni kundër kryengritësve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së shtunë. Në Republikën ruse të Dagestanit, me popullsi kryesisht myslimane, janë shpeshtuar konfliktet midis kryengritësve dhe forcave qeveritare. "Operacioni është shtrirë në një zonë prej 27 kilometrash katror, në pyjet. Kështu që na nevojitet kohë për të pastruar zonën", është shprehur Magomet Ismailov, zëvendësministri i Brendshëm i Dagestanit. Kanali televiziv i kontrolluar nga shteti NTV, ka shfaqur pamjet e mjeteve ushtarake të lëvizin në rajon, ndërsa trupa të shumta tokësore kishin rrethuar pyllin. Teksa edhe helikopterët ushtarakë kanë patrulluar në hapësirën ajrore të zonës. Dagestani, me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh, shtrihet midis Çeçenisë dhe detit kaspik. Sipas analistëve, problemet ekonomike dhe taktikat e rënda menazhuese të policisë, shtyjnë të rinjtë e vendit të bashkohen me guerrilasit islamikë.