Tensione në Ferguson, pas vendimit të gjykatës për të mos dënuar policin


ferguson traziratQyteti i Fergusonit në Shtetet e Bashkuara u përfshi nga trazirat më të mëdha në disa muaj, pasi një trupë gjyqësore vendosi të mos ngrejë akuza ndaj një polici të bardhë, i cili qëlloi dhe vrau një adoleshent zezak të paarmatosur. Protestat e dhunshme shpërthyen të hënën vonë, pasi zyrtarët njoftuan vendimin e jurisë për mosngritjen e akuzave kundër oficerit Darren Wilson për vrasjen e 18-vjeçarit me ngjyrë, Michael Brown në muajin gusht. Disa njerëz, që thonë se e kanë parë rastin në fjalë nga afër, janë shprehur se polici Wilson e ka qëlluar të riun Brown, pasi ai ishte kthyer nga polici me duart e ngritura lart, por disa dëshmitarë të tjerë raportohet se i kanë kundërshtuar këto pohime gjatë dëgjimit të jurisë. Shefi i Policisë në distriktin e St. Louis-it Jon Belmar tha se të paktën dhjetëra ndërtesave u është vënë zjarri dhe shumica e tyre janë shkatërruar.


Protesta, por jo viktima


Ai tha se nuk ka pasur njoftime për viktima. Të paktën 29 persona janë arrestuar. Më parë gjatë natës, policia u tha se përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve u vunë zjarrin makinave të policisë dhe hodhën objekte ndaj policisë. Të shtëna sporadike me armë zjarri janë dëgjuar në disa lagje të Fergusonit. Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera në mbarë Amerikën. Në sheshin “Times Square” në Nju Jork, protestuesit mbajtën parulla që dënonin “tiraninë e policisë” dhe hidhnin slogane “Duart Lartë, Mos Qëlloni”, që është bërë një veprim popullor në protestat kundër dhunës policore. Në Oakland dhe Çikago, protestuesit vërshuan në autostrada, duke bllokuar makinat dhe duke ecur me duart lart. Një turmë e vogël e protestuesve u mblodh jashtë Shtëpisë së Bardhë.


Debatet raciale, vend kryesor


Debatet me sfond temat raciale, kanë shkaktuar shpesh reagime të dhunshme në SHBA këto vitet e fundit, duke sjellë në vëmendje raste të shumta pretendimesh për abuzime me të rinj me ngjyrë, ata hispanikë etj., nga ana e forcave policore në mbarë SHBA, e sidomos në shtetet e zonat ku ato kanë përqendrimin më të madh. Debatet për to tashmë zënë njërin ndër vendet e para në diskutimet e momentit brenda SHBA, përkrah atij të përdorimit të armëve të zjarrit nga individët, pas rasteve të shpeshta e të përsëritura të vrasjeve nëpër shkollat e kolegjet amerikane.


Ky shkrim SHBA: Rindizen trazirat dhe protestat me sfond racor u publikua me pare te Gazeta SHQIP.