grabitja-ne-rinasShkresat për komisariatin dhe Aviacionin Civil. Situata pas alarmeve të terrorizmit


Frika nga sulmet – Problematikat që konstatoi SHISH cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste


SHISH – Shërbimi Informativ Shtetëror, përmes oficerëve dhe agjentëve të tij, ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me autoritetet civile dhe policore


3 testimet – Në të tri testimet, siguria e aeroportit ka dështuar të detektojë rrezikun. Tritoli është futur, po ashtu edhe thika


Mariglen Mullai


Shërbimi Informativ Shtetëror ka njoftuar në dy periudha të ndryshme autoritetet e Ministrisë së Transporteve, Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit për mungesën e masave të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”. Pas “kalimit” të tritolit dhe thikës, gjatë testit të prillit të këtij viti, SHISH, i alarmuar, u kërkonte autoriteteve të Aviacionit Civil që të përforconte masat e sigurisë, pasi aeroporti i vetëm në vend mund të ishte shënjestër e lehtë për terroristët apo keqbërësit. Letra është firmosur nga kreu i SHISH, ndërsa ky paralajmërim ishte dërguar edhe në vitin 2014.


 


Shkresat e SHISH


Në njërën prej shkresave, dërguar Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në fillim të muajit maj, SHISH bënte me dije se në rrugë operative ishte njohur me përfundimet e tre testimeve të kryera në aeroport. Problematikat e konstatuara gjatë këtyre testimeve, cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste apo që kishin qëllim kryerjen e veprave të tjera kriminale. Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kanë bërë 3 testime të fshehta për sigurinë në aeroport në datën 20 prill 2016. Testimi i parë ishte futja e eksplozivit, i dyti futja e armëve të ftohta dhe testimi i tretë ishte çarja e rrethimit, saktësisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë grabitësit. Në të tri testimet, siguria e aeroportit ka dështuar të detektojë rrezikun. Tritoli është futur, po ashtu edhe thika. Por, më e rënda, është realizuar futja pikërisht në të njëjtën pikë ku u fut edhe makina e grabitësve. Për 10 minuta simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar. Pas konstatimit të kësaj problematike, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, firmosi letrën e klasifikuar sekret. Nga institucionet përgjegjëse është mbajtur një korrespondencë intensive për marrjen e menjëhershme të masave për të rritur standardet e sigurisë që ishin konstatuar të cenuara. Nga ana tjetër SHISH u bën me dije këtyre institucioneve se po kryen monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe që në ditët në vijim do të kërkoj një takim të posaçëm, e cila u realizua me 13 maj, me mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil. Por e njëjta shkresë i është dërguar për dijeni dhe Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq, për shtimin e masave të sigurisë dhe plotësimin e standardeve, SHISH u ka shkruar të njëjtave institucione dhe në vitin 2014, kur situata e terrorizmit ishte alarmante. Përmbi të gjitha, ikja e dhjetëra shqiptarëve në një luftë në huaj, gjatë viteve 2012-2014, si dhe kthimi i disave prej tyre, gjithnjë duke përdorur këtë aeroport, e shtonte domosdoshmërinë e përforcimit të masave të sigurisë. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë nuk ishin të vetmit që e përdorën si “urë” Rinasin për të shkuar fillimisht në Turqi e më tej drejt Sirisë, por shërbime të huaja patën lëshuar alarmin se shtetas me kombësi të ndryshme e shihnin më të lehtë kalimin përmes kësaj linje ajrore. Për këtë qëllim, këto shërbime sollën për autoritetet shqiptare, lista me persona të dyshimtë që mbaheshin nën survejim. Por me sa duket aeroporti i vetëm në Shqipëri mbeti “han me 2 porta” për shumë kohë, derisa u desh të mbërrinte dita e supergrabitjes spektakolare. Për hir të së vërtetës, autoritetet policore në Rinas arritën të prangosnin disa individë, kryesisht nga Lindja e Mesme, që kishin me vete dokumente të falsifikuara dhe donin ta përdornin Rinasin si linjë transite për të arritur vendet e destinacionit, por po ashtu mbetet dyshimi që shumë të tjerë nuk ranë në këtë rrjetë të policisë. Shërbimi Informativ Shtetëror, përmes oficerëve dhe agjentëve të tij, ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me autoritetet civile dhe policore, por nisur nga qëllimi dhe misioni i këtij shërbimi, këtyre punonjësve nuk u lejohet të kalojnë kompetenca të tjera përpos informimit. Kontaktet me partnerët dhe aleatët strategjikë, kanë sjellë perfeksionimin e taktikave zbuluese dhe informuese nga SHISH, por neglizhenca e autoriteteve civile dhe policore, apo “pingpongu” i kompetencave, ka sjellë këtë situatë të vështirë që e nxjerr zbuluar Shqipërinë përballë fenomeneve me sfonde të theksuara terroriste. Në fakt, grupet terroriste, me mbështetje fetare ose jo, kurrë nuk kanë pasur si synim Tiranën apo zona të tjera në vend dhe asnjëherë nuk ka pasur informacione për sulme të mundshme, ndoshta edhe për faktin e përkatësisë fetare të shumicës së shqiptarëve, por gjithsesi SHISH e ka mbajtur situatën nën kontroll.