Saimir Pirgu është shpallur fitues i Çmimit të Publikut në Washington DC, si interpreti (aktori) më i mirë në një opera për vitin 2012. Bëhet fjalë për operën “Lucia di Lammermoor”, ku Pirgu interpretonte rolin e Edgardos.

Tashmë janë bërë të zakonshme lajmet për interpretimin e tenorit shqiptar Saimir Pirgu në premiera të mëdha botërore dhe në skenat më të rëndësishme operistike. Në fund të fundit, do thoshte dikush, kjo është puna e tij dhe ai përpiqet ta bëjë sa më mirë këtë. Por kur puna merr edhe një vlerësim nga pas, atëherë është edhe më mirë. Brenda një kohe shumë të shkurtër nga 30-vjeçari Saimir Pirgu na vijnë dy lajme të mira (veç shfaqjeve).

Së pari, Saimir Pirgu është shpallur fitues i Çmimit të Publikut në Washington DC, si interpreti (aktori) më i mirë në një opera për vitin 2012. Bëhet fjalë për operën “Lucia di Lammermoor”, ku Pirgu interpretonte rolin e Edgardos. Opera është shfaqur në Operën Nacionale në Washington, në nëntor të vitit që shkoi. Vetëm pak ditë më parë janë shpallur ‘DC Theatre Scene Audience Choice Awards 2012’, për pjesën teatrale, operën, spektaklin, ansamblin më të mirë dhe aktorin dhe aktoren/interpretuesin dhe interpretuesen më të pëlqyer dhe më të duartrokitur nga publiku amerikan.

Për shpalljen e këtyre çmimeve janë seleksionuar 274 produksione profesionale, të realizuara në gjithë hapësirën e Washington DC në periudhën njëvjeçare korrik 2011-korrik 2012. Në kategorinë e operës, favoritë për këtë çmim ishin Peter Burroughs në “El Barberillo” dhe Jose Sacin në “Luisa Fernanda”, e cila është ngjitur në skenën e Teatro de la Luna. Sa u përket interpreteve femra, këtë çmim e meritoi Patricia Racette në rolin e Floria Tosca, në operën “Tosca”, e shfaqur në Washington National Opera.

Që pas premierës së kësaj opere në Washington, Pirgu do të merrte vlerësime pozitive. Me një pamje si Mel Gibson në rolin e Wallace tek “Braveheart”, i veshur me kilt skocez e me flokë të gjata, Pirgu në rolin e Edgardos është konsideruar si një “tenor i pashëm me një zë të bukur që nuk lodhet asnjëherë. Ai i jep formë dhe ngjyra shumë bukur interpretimit të duetit me Lucian”.

Lajmi i dytë i mirë është që ai do të jetë imazhi i revistës më të rëndësishme operistike “Opera Now” për numrin e shtatorit. Një muaj më parë, në kopertinë ishte tenori i madh Placido Domingo. Në këtë numër të radhës, tenori Saimir Pirgu tregon jetën e tij shqiptare, fëmijërinë nën komunizëm dhe rritjen e tij artistike, nga Tirana në drejtim të skenave të mëdha botërore.