Muzika dhe argëtimi në diskot dhe baret e qytetit të Sarandës vijojnë pa limit kohor, duke shkelur vendimin e fundit për mbylljen e tyre në mesnatë për fundjavën dhe një orë para saj gjatë ditëve të javës.

Ky konstatim dhe shqetësim i qytetarëve dhe pushuesve të Sarandës ka nxitur kontrollin e situatës reale nga strukturat shtetërore.

Pas mesnatës së të premtes, janë kontrolluar disa prej diskove dhe bareve që ishin shndërruar në shqetësim për qytetarët dhe pushuesit.

Në përbërje të ekipit të kontrollit ishin nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit Vlorë, Agjencia e Mjedisit Sarandë, Policia Bashkiake Sarandë dhe nga Komisariati i Policisë së Rendit në Sarandë.

Kryetari i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Vlorë, Geron Gunabardhi, është shprehur se nga ekipi i kontrollit u konstatua që të gjitha subjektet e kontrolluara janë gjetur në punë, pavarësisht dijenisë për të mos funksionuar pas mesnatës.

Pronarëve u është kujtuar detyrimi që kanë për të zbatuar kufirin-orar, duke u lënë kohë që të zbatojnë vendimin e fundit të qeverisë, pasi në rast të kundërt, do të gjobiten.