Shtyhet seanca gjyqësore e Bandës së Durrësit dhe shkak u bë mungesa e të pandehurit Kujtim Buna, i cili nuk u paraqit për arsye shëndetësore. Avokati i tij paraqiti raportin mjekësor që vërtetonte gjendjen e rëndë shëndetësore të tij. Por Bunës nuk i është lejuar nga uniformat blu për të bërë një skaner, që do ta ndihmonte atë për të nxjerrë diagnozën për shqetësimet që kishte. Avokati i të pandehurit Kujtim Buna i kërkoi trupit gjykues që të lejohej klienti i tij të kryente ekzaminimet përkatëse, të cilat do të mbuloheshin nga të ardhurat e familjes. Por trupi gjykues nuk e mori parasysh kërkesën, pasi raporti mjekësor nuk kishte numrat serialë dhe firmat e institucionit përkatës. Përveç Kujtim Bunës, ishin dhe tre të pandehur, që, për arsye shëndetësore, nuk u paraqitën në sallën e gjyqit, por që përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Gjithashtu nuk ishte i pranishëm në dëshirën e tij i pandehuri Indrit Taullau. Në masa të rrepta sigurie ishte i pranishëm dhe i penduari i drejtësisë, Adriatik Coli. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin dhe të pandehurit Lulzim Berisha, Indrit Dokle, dhe Alban Neli, që përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Pas një debati prej 30 minutash, gjykatësit shtynë seancën gjyqësore dhe caktuan datën 16 shkurt për zhvillimin e seancës tjetër.