Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, tha se udhëheqësit e Angolës u angazhuan për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale brënda një kohe të përshtatshme, siç u shpreh ajo.

 

Sekretarja Klinton i bëri këto komente pasi u takua sot me Presidentin e Angolës, Hose Eduardo dos Santos, në kryeqytetin Luandë.

Ajo tha se presidenti angolez ishte angazhuar të përfundonte kushtetutën e re dhe të mbante zgjedhjet, megjithëse ajo nuk dha ndonjë afat kohor.

Angola nuk ka zhvilluar zgjedhje presidenciale që nga viti 1992, për shkak të luftës civile në vend dhe presidenti Hose Eduardo dos Santos ka qenë në këtë post për 30 vjet.

Zgjedhjet presidenciale duhej të ishin mbajtur këtë vit, por zyrtarët thanë se ato mund të shtyhen deri vitin e ardhshëm në mënyrë që të mbahen në bazë të kushtetutës së re.

Pas takimit me zotin dos Santos, Sekretarja Klinton shkoi në Republikën Demokratike të Kongos, ku nesër ka në plan të takohet me Presidentin Joseph Kabila.  (ze)