Ndryshimi i planeve të ekipeve kombëtare për javën në vijim, ka bërë që Sektori i Garave të rishkruajë kalendarin e aktiviteteve. Si rrjedhojë, gjatë fundjavës do të luhen ndeshjet e kategorive të ndryshme, të cilat nuk u zhvilluan për shkak të tragjedisë në Gërdec dhe vendimit të mëtejshëm për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve. Normalisht, kjo fundjavë ishte parashikuar të lihej në dispozicion të ekipeve kombëtare, pasi ishte planifikuar një miqësore me Arabinë Saudite. Por pezullimi i Shqipërisë nga FIFA e ka bërë të pamundur zhvillimin e takimit e si rrjedhojë, fundjava ka mbetur në dispozicion të kampionatit. Sektori i Garave e ka shfrytëzuar një gjë të tillë për të luajtur ndeshjet që u pezulluan dy ditë më parë, duke mos e ngjeshur kampionatin në javët pasardhëse. Gjithsesi, mbetet për t‘u përcaktuar nëse këto ndeshje do të zhvillohen të shtunën apo të dielën, në varësi të ditës së zisë kombëtare pas ngjarjeve në Gërdec.