Trazhgim Sokolaj

Fuoristrada luksoze “Tuareg” e përdorur nga Dritan Dajti ditën e vrasjes së katër oficerëve të policisë në Durrës, përfundoi dje në ambientet e Rezervave të Shtetit. Me dyer të dyllosura për të mos u hapur nga askush, automjeti që përdorte i shumëkërkuari është transportuar me një karroatrec nga Drejtoria e Policisë së Durrësit për në ambientet e Rezervave të Shtetit në Tiranë. Dorëzimi i fuoristradës është bërë në përfundim të matjeve dhe ekzaminimeve të tjera, që janë bërë në mjet gjatë kohës që makina është mbajtur në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, ku mbetën të vrarë katër policë, makina është verifikuar përsëri pasi është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Hetuesit fillimisht kanë bërë kontrollin e mjetit për dokumente apo sende të paligjshme e më pas kanë sekuestruar gjurmët e gishtave të lëna në makinë. Më pas mjetit i është bërë këqyrja e jashtme dhe e brendshme për të parë prekjen nga plumbat, në mënyrë që të saktësohet projeksioni i qitjeve me armë zjarri, që janë bërë në vendin e ngjarjes. Pas dorëzimit tek Rezervat e Shtetit, automjeti do të jetë në dispozicion të Prokurorisë deri në përfundim të procesit, që sapo ka nisur ndaj Dritan Dajtit për akuzat e vrasjes së katër efektivave të policisë dhe armëmbajtjes pa leje.
Kërkohen
kamerat e pallatit
Grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit ka kërkuar kasetat e kamerave të vëzhgimit në pallatin e marrë me qira në Durrës, ku Dritan Dajti u strehua gjatë qëndrimit në arrati. Informacioni operativ i policisë se kamerat mund të ndihmonin në zbardhjen e veprimeve të Dritan Dajtit apo edhe në zbulimin e personave që mbanin kontakte me të kërkuarin, ka rezultuar i pasaktë. Hetuesit kanë kontaktuar me personat që banojnë aty ndërsa kanë verifikuar ambientet e pallatit, ky mësohet se nuk ishin vendosur kamera vëzhgimi. Oficerët gjyqësorë kanë menduar se kamerat mund të kishin fiksuar sekuenca nga përplasje e Dajtit me policinë, duke qenë se ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg godinës së banimit ku fshihej Dritan Dajti gjatë qëndrimit në arrati.
Armët e Dajtit
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për ekspertizë shkencore pistoletën e përdorur nga Dritan Dajti në vrasjen e katër agjentëve të policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Sajmir Duçkollari. Krahas dokumentimit të armës në krimin e katërfishtë, prokuroria ka kërkuar verifikime nga laboratori shkencor i policisë, nëse arma në fjalë është përdorur në vepra të tjera penale para masakrës së ndodhur më 7 gusht 2009 në Durrës. Ekspertiza ende nuk ka përfunduar, ndërsa organi i akuzës po vazhdon hetimet me kryerjen e veprimeve të tjera procedurale për dokumentimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë aksionit për arrestimin e Dajtit. Prokuroria pret të marrë në dorëzim tabulatet me listën e telefonatave dhe mesazheve të qarkulluara nga telefonat e Dajtit për të verifikuar kontaktet, që ai ka pasur me punonjës të Policisë së Shtetit. Dyshimet për dekonspirimin e aksionit të 7 gushtit apo edhe përpjekjeve të mëparshme të policisë për arrestimin e të shumëkërkuarit, u shtuan pas zbulimit në telefonin e kunatit të Dajtit, të pesë numrave që u përkisnin katër oficerëve të policisë. Një inspektor i policisë së Durrësit kishte komunikuar me Erges Xhoxhin, duke vënë në përdorim dy numra, ndërsa kunati i Dajtit kishte kontakte edhe me oficerë të policisë së Korçës, Fierit dhe Dibrës.  


Në sitë urdhrat verbalë, 4 oficerë dëshmitarë
Hetohet plani operacional i policisë për kapjen e Dajtit

TIRANE – Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, krahas hetimit për dokumentimin e vrasjes së dy efektivave të policisë, janë duke hetuar edhe për “gabime” gjatë planifikimit apo ekzekutimit të planit operacional. Katër oficerë policie të Durrësit, Fierit, Korçës dhe Dibrës, të identifikuar tashmë me emra dhe me detyrat që mbajnë, janë në listën e dëshmitarëve që do të merren në pyetje ditët në vijim. Numrat e tyre të telefonit u gjetën në celularin e kunatit të Dritan Dajtit, ndërsa inspektori i Durrësit kishte dërguar edhe mesazhe, përfshi një SMS i cili ka mbërritur vetëm pak minuta para përplasjes së 38-vjeçarit të shumëkërkuar me policinë. Prokuroria ka sekuestruar dokumentin e planit operacional të firmosur nga kryepolici Ahmet Prençi, shefi i sektorit të Luftës Kundër krimit të Organizuar Arjan Muça dhe komandanti i skuadrës së agjentëve të vrarë Fatos Xhani. Ndërkohë, po verifikohen detaje të tjera të planit operacional si dhe urdhrat e dhënë verbalisht me qëllim hetimin e gabimeve të mundshme, që u kanë kushtuar jetën katër agjentëve të shpallur tashmë “Dëshmorë të Atdheut”. tr.so


Dajti i kushton shtetit 55 mijë lekë në ditë
TIRANE – Shteti shqiptar është duke shpenzuar një shumë mesatare prej 55 mijë lekë në ditë me të shumëkërkuarin Dritan Dajti, pas arrestimit të tij me akuzën e vrasjes së katër oficerëve të Policisë së Shtetit. Prej ditës kur ekzekutoi agjentët e Forcës së Posaçme në Policinë e Shtetit, Dajti mbahet në spitalin e burgjeve nën kontroll të rreptë nga mjekët, si dhe me një sërë ilaçesh, që i jepen në mënyrë të përditshme. Burime nga spitali i burgut thanë se rreth 55 mijë lekë është fatura mesatare ditore për ushqimin, trajtimin mjekësor dhe medikamentet, që vazhdojnë t’i ofrohen Dritan Dajtit. Ai po mbahet në një prej qelive me të sigurta të këtij institucioni, për shkak se është plagosur me tre plumba dy nga të cilët i ka ende në trup. Dajti ka qenë në gjendje të rënduar, ndërsa situata ka ardhur në përmirësim derisa tani është stabilizuar. Plumbi i cili ka kaluar pranë shtyllës kurrizore ka shkaktuar paralizë të përkohshme në njërën këmbë çka pengon lëvizjet e Dritan Dajtit. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore në planin e përgjithshëm, sipas mjekëve është e normalizuar. Dajti mbahet në vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët, ndërsa çdo ditë kurohet me një seri medikamentesh për kurimin e plagëve, si dhe për ruajtjen nga infeksionet që mund të marrë si pasojë e plagëve që ka pësuar në trup. Një faturë të veçantë kanë zënë edhe ekzaminimet e shumta që i janë bërë 38-vjeçarit.