55341Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur këtë të premte sekuestro preventive për pasuritë e ish-këshilltarit Republikan në bashkinë e Fierit, Fatmir Kajollit. Dyshohet se kjo pasuri është krijuar në bazë të aktivitetit kriminal për të cilin ai është dënuar në Itali.

Sipas një njoftimi të policisë, janë sekuestruar gjithsej 2.1 milionë metër katrorë tokë pyll, arë dhe truall në zonën turistike në Fier, përfshirë edhe 1700 metër katrorë ndërtesë.

Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer verifikimet në bazë të ligjit "Antimafia", nisur nga referimi i Policisë së Shtetit, dhe ka marrë lejen nga Gjykata për Krime të Rënda për të vendosur sekuestron në pasuritë e paluajtshme, si edhe shoqëritë private të regjistruara në emër të shtetasit Fatmir Kajolli, Majlinda Çuko (Kajolli) dhe Florim Kajolli.

Më pas në njoftim thuhet, se shtetasi Fatmir Kajolli është dënuar nga Gjykata e Milanos në Itali, në vitin 2001, me 24 vjet burg për veprat penale të "trafikimit, prodhimit dhe posedimit të lëndëve narkotike".

Gjithashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës në vitin 2000 ka vendosur dënimin me 16 vjet burg për veprat penale të "pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për narkotikët".

/Shekulli Online/