Autori i Lajmit: red.
Serbët e Kosovës kanë vendosur që më 28 qershor të formojnë të ashtuquajturin Kuvend të Bashkësive të Komunave të Kosovës. Ky kuvend, sipas themelueseve, do pengojë, siç thonë, krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan.

Kryetari i Bashkimit të komunave dhe vendbanimeve serbe, Marko Jakshic, thotë se ky kuvend do të formohet më 28 qershor, në atë që serbët e festojnë si ditë të Vidovdanit.

“Ekziston një qëndrim mes partive dhe subjekteve tjera politike. Ne llogarisim se vetëm kuvendi serb do të jetë një themel, një barrikadë dhe një kufi, poshtë të cilit nuk mund të shkohet kur është në pyetje territori i Kosovës,përmes të cilit do të vihet një bashkëpunim mes serbëve”.

“Kjo do të jetë një lidhje e të gjithë serbëve si nga Kosova, ashtu edhe nga jashtë saj, për të kundërshtuar krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan”, tha Jakshic.

Krijimi i parlamentit serb është një përgjigje politike e serbëve kundrejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fuqizimit të kushtetutës. Jakshic thotë se prioritet i punës së të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave të Kosovës do të jetë lufta për mbrojtjen e interesave të të gjithë serbëve në Kosovë.

“Po ashtu, duhet shtruar rruga për qëndrimin tonë politik ndaj EULEX-it dhe çështje tjera që janë në interes të serbëve”, tha Jakshiq. Por, edhe pse ai e cilëson kuvendin serb si një lidhje të të gjithë serbëve, ka zëra në mesin e serbëve që e kundërshtojnë këtë veprim. Politikani serb, Oliver Ivanovic, e quan këtë kuvend të dështuar dhe jetëshkurtër.

Ndërkaq, nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkovic, vlerëson se në Kosovë aktualisht ky kuvend është i panevojshëm.

Serbët e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, kanë forcuar strukturat paralele të Qeverisë serbe në Kosovë.

Ata tashmë kanë formuar ato që i quajnë kuvende komunale të dala nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit, kuvende këto që cilësohen nga autoritetet e Kosovës si ilegale, siç janë shpallur edhe vetë këto zgjedhje. Por, deri tash nuk ka pasur ndonjë lëvizje as nga institucionet ndërkombëtare e as nga këto vendore për t i zhbërë këto struktura ilegale paralele.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008