Çështja e të zhdukurve duhet të avancojë në bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.
Ai ka thënë se për këtë do të duhej që pala kosovare ti vinte kushte palës serbe, madje edhe ti kushtëzonte vazhdimin e bisedimeve. Ai ka thënë se tashmë dihet që në Serbi ka shumë varreza masive dhe për këtë janë të informuar edhe vetë zyrtarët serbë.
Ndërkohë, anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin parlamentar për të pagjeturit ka thënë se Qeveria e Kosovës qysh para nisjes së bisedimeve, duhej ta kushtëzonte palën serbe me çështjen e të pagjeturve. Ajo tha se Qeveria e ka keqpërdorur çështjen e të pagjeturve vetëm për të legalizuar bisedimet me Serbinë.
Rita Hajzeraj Beqaj nga LDK-ja ka thënë që deri tash si Komision nuk e kanë marrë asnjë informacion rreth asaj se nëse deri tash është diskutuar për çështjen e të pagjeturve në bisedime.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, ishte thirrur para Komisionit parlamentar për të pagjeturit dhe peticione për të raportuar dhe sqaruar se pse nga qershori nuk i janë përgjigjur pyetësorit të hartuar nga Komisioni parlamentar për të pagjeturit. Gjetaj kishte vlerësuar se pyetjet në pyetësor ishin të paqarta dhe me konotacion politik, për të cilat përfundime mori kritika të ashpra.