Panik dhe tmerr në Gjirokastër, pas shembjes së një pallati 5-katësh. Katër persona mbeten të plagosur dhe 15 familje pa strehë

Gërmimet për një pallat të ri shkaktojnë tragjedi në Gjirokastër. Nënë e bijë dhe një 65-vjeçare nën rrënoja


GJIROKASTËR- Banorët e një pallati 5-katësh në lagjen “11 janari” të Gjirokastrës as që e kishin çuar ndër mend se në një ditë të bukur me diell, si ajo e djeshmja, jetët e tyre do të ndryshonin, për shkak të rrëzimit të menjëhershëm të pallatit. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë, brenda pak sekondash dhe askush nuk ka pasur mundësi të reagonte. Një lëkundje e fortë, e nisur qysh nga themelet ka mjaftuar për t’i shembur totalisht të dy seksionet me 10 apartamente, ndërsa seksioni i tretë pritet të rrëzohet nga çasti në çast. “Dashamirësi” e fatit, nëse mund të quhet kështu, ka qenë ora në të cilën ndodhi ngjarja, kohë kur një pjesë e mirë e banorëve kanë qenë jashtë shtëpive, duke minimizuar pasojat e kësaj tragjedie. Ende nuk mund të flitet për numrin e saktë të viktimave, ndërsa 4 persona kanë mbetur të plagosur dhe 15 familje mbetën të pastreha nga shembja e pallatit.Shkak është bërë çarja e tokës, disa metra më poshtë, ku hapeshin themelet për ndërtimin e një pallati të ri.


Punimet që kryheshin disa metra më poshtë, për ndërtimin e një pallati të ri kanë shkaktuar çarjen e tokës, duke sjellë si rrjedhim edhe shembjen e pallatit. Ngjarja e rëndë që shkaktoi panik në gjithë qytetin e Gjirokastrës ndodhi në orën 11:15 minuta, ndërsainxhinerët dhe punëtorët e firmës që po kryente punimet, sapo kanë parë shembjen e pallatitjanë larguar menjëherë nga vendi i tyre i punës. Pak minuta më pas, në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të repartit zjarrfikës, spitalit rajonal “Omer Nishani” si dhe spitalit ushtarak grek. Të ndihmuar edhe nga banorë vullnetarë, efektivat kanë hyrë me vështirësi në pjesën e mbetur “më këmbë” të seksionit dhe kanë bërë kërkime dhe evakuimin e 15 banorëve që kishin mbetur brenda, prej të cilëve 4 të plagosur, ndërsa pjesa tjetër të traumatizuar.


Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, tre prej të plagosurve janë dërguar urgjentisht në Tiranë në Spitalin Ushtarak, për t’iu nënshtruar mjekimeve më të specializuara. Portë tjerë banorë kanë mbetur poshtë gërmadhave, ndërsa trupat e tyre nuk janë gjetur deri në mesnatë.Ende nuk mund të flitet për një numër të saktë të tyre, por dy janë të konfirmuar, anëtarë të familjes së Jetnor Dalanit. Bashkëshortja e tij, Valbona, 35 vjeçe dhe vajza 12-vjeçare, Anxhela kanë mbetur mes gërmadhave të pallatit. Familjarët e 65-vjeçares Parashqevi Zoto, gjithashtu kërkonin të afërmen e tyre, trupi i së cilës nuk është gjetur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Por bilanci i kësaj tragjedie rrezikon të shtohet, pasi dyshohet gjithashtu se nën gërmadha mund të gjenden disa anëtarë të së njëjtës familje, e cila është e paidentifikuar për faktin se mendohet të jetonte me qira në atë pallat, i cili kishte 15 apartamente.


Lista e familjeve të dëmtuara


1- Thanas Zoto


2- Fejzi Aliaj


3- Ibrahim Braho


4- Jetnor Dalani


5- Bilbil Tena


6- Vaso Jorgji


7- Vullnet Sinani


8- Axhem Mene


9- Shpëtim Lloçko


10- Krenar Nikica


11- Sokrat Papadhopulli


12- Hadër Haska


Tre prej familjeve ndodhen në Greqi


Të humbur nën rrënoja


Valbona Dalani, 35 vjeçe


Anxhela Dalani, 12 vjeçe


Parashqevi Zoto, rreth 65 vjeçe


Të mbijetuarit i kanë kërkuar kryeministrit nxjerrjen e shpejtë të trupave nga rrënojat


Banorët-Berishës: Autorët e tragjedisë të ndëshkohen


GJIROKASTËR- Tragjedia e djeshme në Gjirokastër është pasuar me një angazhim të shpejtë të strukturave shtetërore. Pas drejtuesve të pushtetit vendor e institucioneve lokale, rreth orës 12:30 në vendngjarje mbërriti zv. ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Alfred Olli.Disa minuta më pas, i pranishëm ishte ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, njëkohësisht deputet i Gjirokastrës, Genc Ruli, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, të cilët ndoqën nga afër ndërhyrjen për të nxjerrë trupat nga rrënojat. Rreth orës 13:45 minuta, në vendngjarje mbërriti edhe kryeministri Sali Berisha, i cili u interesua për ngjarjen dhe masat e marra. Familjarët e personave të zhdukur i kërkuan ndërhyrje të menjëhershme kryeministrit Berisha për nxjerrjen e trupave si dhe vendosjen përpara ligjit të autorëve që shkaktuan këtë tragjedi. “Do të bëjmë gjithçka që të gjejmë personat e zhdukur dhe të lehtësojmë gjendjen tuaj. Por për momentin, sipas ekspertëve, ndërhyrja e mëtejshme mbart një rrezik të madh. Po bëhet një vlerësim përfundimtar dhe mandej do të ndërhyhet. Do të ketë hetim të plotë e të gjithanshëm për të nxjerrë dhe dënuar përgjegjësit e kësaj ngjarjeje”, -iu përgjigj familjarëve të të zhdukurave, kryeministri Berisha. Pas një mbledhjeje në Shtabin e Emergjencës, Berisha vizitoi të vetmin të plagosur që ndodhej në atë kohë në spitalin rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës. Kërkimet e pashpresa të Jetnor Dalanit për të gjetur të gjallë gruan dhe vajzën 12-vjeçare. Banorët: Etja për para na vrau


Dalani: Ndërtimet më vranë gruan dhe vajzën


GJIROKASTËR- Dhimbja ka qenë e shumëfishtë për kryefamiljarin Jetnor Dalani, i cili nuk ka mundur të gjejë mes të mbijetuarve bashkëshorten dhe vajzën e tij. Ka pritur me ankth në rrënojat e pallatit, ka vrapuar në spital e është kthyer sërish aty, por askush nuk mund t’i jepte ndonjë lajm për bashkëshorten e tij, Valbonën dhe të bijën 12-vjeçare, Anxhelën. “Edhe të vdekura, vetëm na i nxirrni.Ndërtimet na morën jetën”. Kanë qenë këto fjalët që kryefamiljari u ka drejtuar shpeshherë efektivave që ndodheshin në vendngjarje, ndërsa priste gjetjen e trupave të familjarëve të tij. Ndërsa Mjaftonia, e afërme e dy të zhdukurave, e cila sërish vazhdon të qëndrojë për të pritur lajmet më të fundit, shprehet për “Shekullin”: “Gërmo e gërmo, ra pallati. Bona me vajzën nuk janë më, janë poshtë gërmadhave”. Dhe, si për t’u ankuar për tragjedinë e për të treguar dhimbjen e pafund, ajo shton: “askush nuk pyet më për jetën tonë”.


Banorët e pallatit të shembur, por edhe fqinjë të tyre, kanë qenë plotësisht të traumatizuar nga ngjarja e ndodhur. Lotët dhe dhimbja në fytyrat e tyre kanë qenë të vetmet shprehi që tregonin për atë ç’kishte ndodhur, pasi ata vetë nuk kanë mundur. Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda dhe ende nuk e kanë kuptuar sesi. Megjithëse përpiqen të ngushëllohen me faktin që së bashku me familjarët e tyre janë gjallë, ngjarja është e rëndë për t’u përballuar. "Mania për të ndërtuar gjithandej e për të nxjerë fitime na vrau",-dëgjoje prej gojës së tyre, duke kërkuar shpagim për autorët, në njëfarë mënyre. Qysh prej ditës së djeshme, ata figurojnë jo vetëm të pastrehë, por pa asgjë veç rrobave të trupit. Përveç shtëpisë, ata humbën gjithçka të ndërtuar me mund në një jetë të tërë.


Në rrënojat e pallatit të shembur mesditën e djeshme në Gjirokastër kërkohen tre të zhdukura, ndërsa banorët hedhin dyshime se një tjetër familje banonte aty me qera. Përveç Valbona Dalanit dhe vajzës së saj, Anxhela, e zhdukur është shpallur edhe 65-vjeçarja Parashqevi Zoto, trupi i së cilës nuk ishte gjetur gjithashtu deri në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkaq, policia e Gjirokastrës bëri me dije pasditen e djeshme se familja që banonte me qera në pallatin 5-katësh të shembur ndodhej fatmirësishtnë Tepelenë, ndaj edhe emrat e tyre janë hequr nga lista e personave në kërkim.


BANORI


I mbijetuari: Fotot e familjes, gjithçka gjeta nën rrënoja


GJIROKASTËR- Sokrat Papadhopulli, njëri prej banorëve të pallatit të shembur është ndër të paktët që mund të rrëfejnë së ç’ndien nga gjithë kjo ngjarje. Fatmirësisht, ai dhe bashkëshortja nuk kanë qenë në shtëpi, në momentet kur pallati është shembur, ndaj edhe fati e desh që të mos përjetonin panikun e fqinjëve të tyre. Pak kohë pas ngjarjes, Sokratika shkuar pranë rrënojave, ku ka gjetur një libër dhe disa foto të familjes së tij. “Jemi të shokuar. Etja e madhe për fitime solli këtë ngjarje. Ky libër dhe këto foto që gjeta, janë e vetmja pasuri e familjes sime tashmë. Përveç gjithçkaje, kemi humbur kujtimet tona”, -shprehet Papadhopulli për „Shekullin“. Sikurse edhe banorët e tjerë të pallatit të rrënuar, edhe ai ia vë fajin për tragjedinë e ndodhur etjes për të përfituar para me anë të ndërtimeve të pastudiuara mirë më parë. Në këtë ditë të rëndë për ta, të mbijetuarit e tragjedisë kërkojnë së paku ndëshkimin e autorëve, e më pas një vend për të futur kokën.