TIRANË-Pas sherrit të sotëm mes deputetëve Gent Strazimiri, Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e përgjithshme ndaj deputetëve të mazhorancës për “Goditje për shkak të detyrës”.

Grupi parlamentar i PD-së ka kallëzuar penalisht deputetët Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko. Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se deputetët e mazhorancës të përmendur më sipër e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar atë fizikishtdeputetin Strazimiri. 

“Në datën 27 Maj 2014, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqiperise, deputeti Gent Strazimiri, antar i Grupit Parlamentar te Partise Demokratike, ka qene ne mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, duke shqyrtuar dhe diskutuar mbi çështje brenda rendit të ditës sipas Rregullores së Kuvendit. 

Për një moment është larguar nga salla e mbledhjes për një pushim të shkurtër në korridorin e katit të II të Kryesisë së Kuvendit. Pa asnjë shkak dhe në mënyrë kriminale, 3 deputetë të Partisë Socialiste, konkretisht Armando Prenga, Xhemal Qefalia, dhe Gentian Bejko, e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar atë fizikisht.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas deklarimeve të deputetit Gent Strazimiri dhe pamjeve filmike të qarta të transmetuara nga mediat, denoncon këtë veprim kriminal të kryer nga këto tre shtetas, si një agresion terësisht penal dhe me prapavijë të qartë politike, me synimin që me dhunë të bëjnë opozitën parlamentare të hesht.”- thuhet në kallëzimin penal. 

(a.n/BalkanWeb)
Lidhje te tjera KALLEZIMI PENAL I GRUPIT PARLAMENTAR TE PD