Në redaksinë e re do të marrin pjesë edhe përfaqësues të bashkësive të tjera etnike në Maqedoni.

Ajo duhet të formohet bazuar në procedurat dhe statutin e akademisë, jo më vonë se një muaj.

Anëtarët e rinj duhet të bëjnë ndryshimet e teksteve që nuk janë të pranueshme nga aspekti shkencor por edhe nga shoqëria në vend. Siç thuhet në komunikatën e Akademisë, anëtarët e rinj duhet të jenë njerëz kompetent të fushave për të cilat duhet të shkruajnë.

Kryesia e ASHAM-it ka konstatuar se tekstet kontestuese nuk kanë qenë të recensuara, ndërsa e gjithë enciklopedia nuk është kontrolluar nga asnjë organ i akademisë, kryesia apo kuvendi.

Akademia nuk pajtohet me një pjesë të teksteve që kanë të bëjnë me historinë dhe marrëdhëniet shoqërore në Maqedoni, veçanërisht në pjesën ku shkruhet për shqiptarët dhe marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar dhe disa shtete të tjera, prandaj ky institucion distancohet nga këto njësi.

Kryesia ka angazhuar redaksinë që të gjitha materialet e enciklopedisë të deponohen në arkivin e ASHAM-it.