Nga Express më 06 korrik 2011 në ora 12:12

Kampioni shqiptar i Maqedonisë, Shkëndija ka paralajmëruar se do të kërkojë fitore midis Serbisë ndaj Partizanit të Beogradit, në ndeshjen e parë (me 12-13 korrik), e cila do të luhet në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.



Në fakt, gjiganti serb është favorit në këtë duel, pasi pritet të ketë edhe përkrahje të madhe të tifozëve të vet, ‘Grobari’. Megjithatë, kuqezinjtë nuk trembën nga ky fakt, derisa pohojnë se në Beograd do ta sulmojnë ekipin bardhezi.



“Do të luajmë lojë sulmuese, sepse ne nuk dimë të luajmë ndryshe. Në Beograd do të mundohemi ta befasojmë Partizanin”, ka deklaruar për Alo.rs, drejtori sportiv i Shkëndisë, Besir Shaqiri.



Kjo ndeshje ka zgjuar vëmendje të madhe të mediave dhe opinionit të gjerë pasi përballen një ekip serb me atë shqiptarë. Andaj, mediat, posaçërisht ato serbe, paralajmërojnë rivalitet të fortë edhe në tribuna mes ‘Ballistëve’ e ‘Grobari’ sikurse në Beograd, ashtu edhe në ndeshjen e kthimit në Shkup.



“Nuk besoj se do të shfaqen probleme. Ne në Beograd shkojmë si sportistë, sikurse që do ta presim Partizanin në mënyrë sportive. Luajmë për Ligën e Kampionëve dhe nuk besoj se ne apo Partizani do të shkaktojmë probleme”, ka përfunduar ai.



Ndërkohë, mediat në Maqedoni kanë raportuar se Partizani në ndeshjen kontrolluese që do ta zhvillojë të mërkurën në Beograd ndaj Metalurgut të Shkupit, do t’i mbyllë dyert e stadiumit për ‘spiunët’ e Shkëndisë, të cilët për detyrë kanë t’i vëzhgojnë taktikat e ekipeve kundërshtare.



Kurse, sipas mediave maqedonase, ‘spiunët’ e Partizanit deri më tani kanë përcjellë thuajse çdo seancë stërvitore të Shkëndisë dhe prezent pritet të jenë edhe në ndeshjet e saj kontrolluese.




Shkëndija insiston për Hysenin




Skuadra nga Tetova, Shkëndija po ballafaqohet me një problem serioz para sfidës së saj si mysafire e Partizanit të Beogradit. Gjasat janë të vogla që Genc Hyseni do të mund të udhëtojë drejt kryeqyteti serb me ekipin e tij. Kjo pasi sulmuesi kosovar ka pasaportë të Republikës së Kosovës, e cila nuk njihet nga shteti serb.



Megjithatë, tetovarët po bëjnë përpjekje të mëdha që në Beograd ta marrin edhe Hysenin.

“Kemi kontaktuar me Ambasadën e Serbisë në Shkup, që të paktën ta pajisin futbollistin me një dokument sa për të udhëtuar me skuadër drejt Beogradit. Por, në Ambasadën serbe nuk duan fare të takohen me ne. Megjithatë, ne do të bëjmë çmos që Hyseni të udhëtojë me ne”, ka theksuar Shaqiri.