TIRANE - Testi fizik për të gjithë aplikantët për Shkollën e Policisë do të nisë pas dy ditësh. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron se faza e parë e testit fizik do të zhvillohet në datën 7 prill dhe të gjithë aplikantët për akademinë do të kenë mundësi që të testohen për aftësitë e tyre fizike përgjatë gjithë muajit prill. Përmes një njoftimi për shtyp, sqarohet se testi fizik do të zhvillohet deri në datë 8 maj 2014 pranë Stadiumit Kombëtar. "Aplikantët e Qarkut Tiranë do të paraqiten në datat 7-18 prill, aplikantët e Qarkut Shkodër në datat 18 prill dhe 21 prill, aplikantët e Qarkut Lezhë në datat 21 dhe 22 prill, aplikantët e Qarkut Kukës në datën 22 prill, aplikantët e Qarkut Korçë në datat 22 dhe 23 prill, aplikantët e Qarkut Gjirokastër në datat 23 dhe 24 prill, aplikantët e Qarkut Fier në datat 24, 25 dhe 28 prill, aplikantët e Qarkut Elbasan në datat 28, 29 dhe 30 prill, aplikantët e Qarkut Durrës në datat 30 prill dhe 2 maj, aplikantët e Qarkut Dibër në datat 2 maj dhe 5 maj, aplikantët e Qarkut Berat në datat 5 dhe 6 maj dhe aplikantët e Qarkut Vlorë në datat 6, 7 dhe 8 maj", sqaron Policia e Shtetit.
Dokumentet
Ditën e zhvillimit të testimit fizik kandidatët duhet të kenë me vete dokument identifikimi, raportin mjekësor të lëshuar nga mjeku i familjes, fletën e pranimit në testin me shkrim me fotografi dhe të firmosur e vulosur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, pasi në të kundërt nuk do të pranohen për t'u futur në garat e testimit fizik. Për zhvillimin e testimit fizik kandidatët të paraqiten me veshje sportive, në orën 07:00 të çdo date testimi, para hyrjes kryesore të Stadiumit Kombëtar, pasi do të fillojë regjistrimi i aplikantëve. Burime nga policia bëjnë me dije se pas kësaj, faza përmbyllëse do të jetë intervista me gojë. Burime nga uniformat blu sqarojnë se 50 për qind e pikëve që do të marrin aplikantët do të varen nga përgjigjet e testit me shkrim dhe 50 për qind e pikëve të tjera do të varet nga intervista me gojë që aplikantët që do të dalin fitues në fazën e testit fizik, do të zhvillojnë me përfaqësuesit e komisionit.
Çfarë përmban testi fizik
Përgatitja fizike e aplikantëve për Shkollën e Policisë përbëhet nga pesë komponentë. Sipas burimeve nga radhët e Policisë së Shtetit, aplikantët duhet të kalojnë me sukses ushtrimin për kërcimin vertikal, duhet të bëjnë ushtrime barku për një minutë, si dhe duhet që të bëjnë maksimumin e mundshëm të pompave, që për meshkujt është 33 dhe për femrat 22 të tilla. Ndërkohë, testi fizik do të përmbajë edhe vrap për 300 metra, si dhe ecje ose kros për 2400 metra. Në rast se aplikantët i kalojnë me sukses këto sfida, atëherë ata do të mund të shpallen fitues dhe pas kësaj do t´i nënshtrohen fazës së intervistës me gojë.
Pikët
Një tjetër risi që ka prekur këtë vit Shkollën e Policisë është edhe ulja e pikëve për pranimin e aplikantëve në këtë shkollë. Deri tani aplikantët duhet të merrnin mbi 60 pikë që të dilnin fitues, por ky nivel është ulur dhe ka shkuar deri në 50 pikë. Me uljen e pikëve në total kanë dalë fitues mbi 2900 aplikantë. "Për zhvillimin e testimit fizik do të paraqiten të gjithë ata aplikantë, të cilët kanë grumbulluar mbi 50 pikë, bazuar në hyrjen në fuqi të ndryshimeve të Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit. Në total do ti nënshtrohen testimit fizik 2958 aplikantë", thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, mësohet se në akademi do të pranohen 500 kandidatë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)