Një 13-vjeçar nga fshati Grabjan i Lushnjës ndjek mësimin fillor fshehurazi, pasi nuk figuron i regjistruar asgjëkund. I dënuar nga fati, i braktisur nga mamaja natyrale, Klodiani, i cili sot duhet të ishte në klasën e shtatë, kërkon me lot në sy të regjistrohet në shkollë. Ndihet i lumtur kur mësuesja e klasës së parë e lejon të dëgjojë mësimin në klasë. Askush nuk e fut në shkollë. Ai është i paregjistruar në gjendjen civile. Ditën kur ka ardhur në jetë, prindërit natyralë të Klodianit nuk kanë qenë të celebruar. Gabimi i prindërve e la analfabet 13-vjeçarin, i cili edhe sot nuk po arrin të regjistrohet dhe të ketë një certifikatë lindjeje.
Babai i tij nuk ka mundësi ekonomike të rrisë 13-vjeçarin. E ëma e ka braktisur prej vitesh dhe Klodiani jeton i vetëm. Po i vetëm përballon të gjitha problemet e shtëpisë. Klodiani këtë vit arriti të hyjë në klasë të parë, por i paregjistruar, falë zemërgjerësisë së mësuesit të shkollës së fshatit, Gëzim Ushe. Mësuesit e shkollës së Grabjanit, duke parë gjendjen e mjeruar ku jetonte djali i vogël dhe dëshirën e tij për të mësuar, shkruar dhe lexuar, e pranuan në klasën e parë. Ata tregojnë se Klodiani është nxënësi më i mirë i klasës dhe që prej fillimit të vitit shkollor, ai nuk ka bërë asnjë mungesë. Ai është nxënësi që të gjithë mësuesit do të dëshironin ta kishin.
Në mikrofonin e "Fiks Fare", Klodi i kërkon ndihmë zonjës Liri Berisha që ta ndihmojë. Ai dëshiron të ketë mundësi të jetojë në një shtëpi për fëmijët jetimë dhe të shkollohet.
Kryetari i Komunës Grabjan, z. Ardian Shurdhaqi, shprehet se Klodiani nuk mund të regjistrohet, pasi në momentin e lindjes e ëma e tij nuk kishte lidhur kurorë me të atin, dhe po ashtu, i ati nuk mund të marrë ndihmë ekonomike, pasi askush në fshatin Grabjan nuk parashikohet të marrë ndihmë ekonomike. Klodiani ka kaluar çdo afat regjistrimi dhe duhet të bëjë gjyq për t‘u regjistruar, por gjendja e tij ekonomike nuk e lejon një luks të tillë, pasi i ati merr 10 mijë lekë në muaj, dhe si të mos mjaftonte kjo, ai figuron si një nga borxhlinjtë më të mëdhenj në dyqanin e fshatit.
Klodiani, fëmijë "peng" i një martese të dështuar, me lot në sy i kërkon kryekomunarit të gjejë një mundësi dhe ta fusë në shkollë. Ëndrra e tij është të mësojë e të lexojë. Lënda e tij e preferuar është Abetarja. Në të ardhmen, ai ëndërron të bëhet mjek që të shërojë njerëzit në nevojë.