Ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine nxjerr nga fondet e Arkivit Qendror të Shtetit dokumente origjinale të historisë së vendit, po edhe libra që kënaqin shijet estetike me artin e libërlidhjes, miniaturave dhe dekoreve





Kanë kaluar tetë vjet kur në emër të "Arkivave të hapura" u ekspozuan për herë të parë në Shqipëri kodikë, që me t'u përhapur lajmi se ekzistonin dhe me t'u verifikuar vlera e rrallë, u quajtën nga UNESCO pasuri e njerëzimit. Më 3 maj në Arkivin Qendror të Shtetit hapet ekspozita "Dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri".





Organizatorët, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Fondacioni Grek i Kulturës ën Tiranë, thonë se ky rast është marrë nën kujdesin e kryeministrit Sali Berisha. Janë përfshirë në organizim Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.





Ceremonia e përurimit mbahet në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror, ora 11:00 dhe ekspozita rri e hapur deri më 3 qershor.





Drejtori i Fondacionit Grek të Kulturës në Tiranë Jorgo Jakumi thotë se "publiku do të shohë dorëshkrimet bizantine, librat pasbizantinë, dorëshkrimet e kodeve, dokumentet otomane, fermanët e sulltanëve, shkrimet diplomatike të shek. XIX e XX, "prej të cilave rrjedhin të dhëna për historinë e këtij vendi.





Më parë janë ekspozuar shkrimet otomane në Arkivin Qendror të shtetit shqiptar, tashmë i erdhi radha shkrimeve bizantine. Ndofta më vonë do të ekspozohen edhe librat që u botuan në Voskopojë gjatë shek. të XVIII."





Jakumi vlerëson bashkëpunimin me drejtoreshën e Arkivit, Nevila Nika, e cila iu përgjigj pozitivisht ftesës së Fondacionit për një ekspozitë me dorëshkrime bizantine, meqë i bashkohej një politike hapjeje të arkivit për publikun shqiptar.





Trashëgimia kulturore që dëshmon përgjatë 13 shekujsh lidhjet e ngushta të Shqipërisë me krishterimin, sipas Jakumit, jep shkas për reflektim: "Nëse historia nuk përdor burime që janë dëshmi të pamohueshme, atëherë ajo humbet dhe nuk rrëfen me vërtetësi të kaluarën njerëzore. Madje ne grekëve na duhen burimet, për të dëshmuar të vërtetat e mëdha për të kaluarën tonë të njëjtë dhe të tejkalojmë qëndrimet politike që na torturuan në shek. e XX."





Kodikët janë dorëshkrime me përmbajtje biblike, liturgjike, jetë shenjtorësh. Ka dhe ilustrime sipas artit të zbatuar, paraikonografik, ilustrime të temave ungjillore, në përmasat e miniaturave me ngjyra.





Janë krijime në poezi të shoqëruara me partitura muzikore, liturgji, për veprimtarinë e kishës. Përveç lëndës së shkruar kodikët kanë dhe anën figurative, me portrete ungjillorëve sipas artit të zbatuar, apo momente biblike, si Fjetja e Shën Mërisë.





Disa nga më të rëndësishmit janë Kodiku i Purpurt i Beratit ("Codex Beratinus Purpureum"), i shek.VI, një nga më të hershmit që ka bota. Po edhe Kodiku i Artë i shek. IX. Gjithashtu dy kodikë të Beratit të shek. X-XI, kodikë të Vlorës, të Korçës, që konsiderohet vepër e Shën Agustinit, shek.XV. Nga të fundmit është Kodiku i Manastirit të Shën Kozmait i shek.XVIII-XIX.





Kodikë të purpurt, të argjendtë, të artë, që flasin edhe për ungjijtë me nam të Mateut, Markut, Lukës, njohën lulëzimin e tyre në Berat, sepse ky qytet ka qenë një lloj kryeqendre e krishterimit për një kohë të gjatë.





Dorëshkrime të purpurt si ai i Beratit janë fare pak sot nëpër botë. Ngjyra e purpurt e pergamenit, një teknikë më vete e teknikës së të shkruarit, ku mendohet të ketë gdhendur me dorën e vet Shën Gjon Gojarti. Të shkruar më shumë në greqishten e vjetër dhe bizantine, dhe fare pak prej tyre shqip, kodikët kanë qenë më të studiuar nga të huajt në monografi të veçanta e vepra të plota. I vetmi studiues shqiptar që është marrë me ta është Theofan Popa. Janë plot 200 kodikë, që ruhen në Arkivin e Shtetit.





Për ekspozitën e 3 majit kanë ndihmuar arkivistë dhe specialistë si Andi Rebeci, Sokol Çunga dhe nëpunësit shkencor të Arkivit.

Nga pala greke përgjegjës shkencor është drejtori i Arkivit Historik dhe Shkrimeve të Vjetra Kosta Papa.





Kanë kontribuar edhe dr. Konstantinos Jakumis, zv/rektor i New York University të Tiranës, Drejtori i Fondacionit të Kërkimeve Bizantine Kriton Hrisohoidhis, pedagogia e Universitetit Ionio të Korfuzit Eleni Agjelomati-Cugaraki dhe shumë të tjerë.

Është gati një katalog shkencor dhe një material informues për historinë e shkrimeve, të arkivit dhe kodeve në pergamene. Për nxënësit dhe studentët është botuar një "broshurë edukative"





Krahas ekspozitës janë programuar edhe disa veprimtari paralele: një konferencë ndërkombëtare shkencore më 15 maj, vizita të organizuara në grup.





Kodiku





Është një vëllim me shumë fletë të shkruara me dorë, teksti i të cilave është shkruar shekuj më parë - madje edhe përpara se të shpikej shtypshkronja e Gutenbergut (1448)! Pra është një "libër bizantin" i stërmadh!





Që të krijohet një "libër bizantin" i tillë duhej të thereshin 200 dele, lëkura e të cilave lihej për tre ditë në gëlqere, që kështu të prodhohej "pergamena"! Këto libra ishin shumë të kushtueshëm, dhe të paktë ishin ata që kishin në shtëpitë e tyre biblioteka me kodikë të shkruar me dorë.





Miniaturat





E kodikëve bizantinë kanë funksion të njëjtë me ilustrimet e librave (që hasen kryesisht tek librat për fëmijë) dhe me fotografitë e revistave. Nëpër scriptoria, veç shkruesve, punonin dhe dekoruesit.





Këta ishin artistë me mjeshtëri të madhe në pikturë. Nuk vizatonin vetëm skica të vogla, me ose pa ngjyra, por edhe germa nistore (germa e parë e një rreshti), ku nevojitej fantazi e madhe skicuese. Kështu kodikët merrnin edhe vlerë artistike, ngjyra, pafajësi fëminore dhe hijeshi, elegancë dhe gjallëri!





Dekoret





Në varësi të porositësit (që mund të ishte perandori, patriarku apo një zyrtar i lartë), si dhe në varësi të personit apo vendit të cilit i kushtohej kodiku (një mitropolie, një administratori province apo një prijësi lokal), caktohej dhe vlera e tij.





Një kodik mund të kishte kosto të zakonshme, mund të ishte i kushtueshëm apo shumë i kushtueshëm. Për shembull, Kodiku i Beratit nr. 2, quhet i "purpurt", sepse kjo është ngjyra e pergamenës mbi të cilën është shkruar.





Germat e këtij kodiku janë të arta, pra, nuk është shkruar me bojë të zakonshme, por me ar të shkrirë. Një kodik prej pergamene të purpurt nuk ishte i zakonshëm në Mesjetë, as germat e arta nuk përdoreshin në çdo kodik.

Vlerat e një kodiku dallohen edhe nga dekoret që përmban.





Këto ishin vizatime gjithfarësh, skica lineare shumëngjyrëshe që gërshetoheshin njëra me tjetrën duke krijuar kompozime komplekse, para të cilave mund të rrish për një kohë të gjatë duke i kundruar, duke e lënë shikimin të endet mbi vijat përfundimtare të dekorit. Shpesh këto dekore shoqërohen me vizatime idilike peizazhesh, shpendësh, kafshësh apo peshqish.