16/04/2012  Ngjarja në mesnatë, flakët rrezikuan dhe banesat e tjera


GJIROKASTER- Flakët e një zjarri masiv kanë përfshirë orët e para duke u gdhirë dita e diel, një banesë të braktisur, e shpallur monument kulture në qytetin e Gjirokastrës. Vatra e zjarrit është regjistruar në banesën e gurtë, trekatëshe të Hadërajve objekt “Monument Kulture”.


Zjarri


Sipas dëshmitarëve okularë, flakët e zjarrit janë shfaqur rreth orës 01.30, duke u gdhirë dita e diel, në katin e dytë të banesës. Brenda pak minutash shtëllunga tymi dhe bloze kanë mbuluar zonën e qytetit ku ndodhet kjo shtëpi, duke shtuar edhe më shumë ankthin dhe frikën e banorëve të zonës. Sipas drejtuesit të efektivave zjarrfikës, Sokol Karaulli, pasi mbërritën në vendngjarje zjarrfikësit konstatuan se krahas flakëve që kishin përfshirë pjesën më të madhe të banesës, zjarri rrezikonte të përhapej edhe në shtëpitë e tjera, në këtë zonë të qytetit. Për gati 2 orë të ndihmuar edhe nga efektivat e policisë, zjarrfikësit punuan për lokalizimin dhe më pas shuarjen e flakëve. Zjarr dëmtoi vetëm mjediset e brendshme të banesës së Hadërajve, ndërkohë që nuk pati dëme në shtëpitë e tjera në këtë zonë të qytetit. Prej vitesh banesa 300-vjeçare e Hadërjave si shkak i braktisjes dhe mungesës së mirëmbajtjes kishte pësuar dëmtime në vlerat dhe arkitekturën e saj. Deri para pak kohësh në këtë banesë jetonte një familje, e cila e braktisi nga frika e shembjes. Po kështu institucionet kishin premtuar se do të ndërhynin për ta rikonstruktuar. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të kësaj vatre zjarri, ndërsa paraprakisht mendohet se shkak mund të jetë bërë një luhatje e energjisë elektrike.