Dy barazime të ndryshme totalisht, por që më shumë se këdo kanë dënuar Dinamon. Kampionët në fuqi nuk kanë shkuar më shumë se një 1-1 me Bylisin në “Qemal Stafa”, duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria.Përtej shumë probleme që ka pasur Dinamo, që nga tolerimet e deri te hallet financiare, apo largimet e lojtarëve, ajo që nuk po dihet është se ku kërkon ta çojë këtë skuadër klubi blu. Sepse nuk ka asnjë mundësi që kjo skuadër, deri dje kampione në fuqi, po pse jo deri në fillimin e fazës së dytë dhe kryesuese, sot të mos jetë e fuqishme dhe të diskutojë deri dhe mbijetesën në Superiore. Një skuadër që dukej e pamotivuar dhe që Bylisin, sipas mënyrës që kishte udhëzuar trajneri Canaj, mund të merrte dhe tre pikët. Madje goli i dinamovitëve, tepër i dyshimtë, i ka tërbuar ballshiotët, të cilët që nga trajneri Canaj e deri te presidenti Kapllanaj kanë akuzuar gjykimin e dyshimtë të kryesorit Alla dhe asistentit të tij Denis Rexha. Ajo që duhet theksuar është fakti se si ai, ashtu dhe Martinena, janë mbuluar rreptë nga mbrojtësit e Bylisit. Dyshja braziliane Soza dhe Da Silva kanë qenë të rreptë në mbulimet e tyre, ashtu sikurse kanë bërë dhe pjesa tjetër e miqve që nga Kelmendi, Ristevski, Shoshi etj. Në pjesën e dytë, Bylis ka ndryshuar mënyrën e të luajturit, ndërsa Xhafa, Dimo dhe Abazaj bëhen ngacmues për mbrojtjen dinamovite. Blutë gabojnë në pasim dhe Abazaj nuk fal. Gëzim në tifozërinë ballshiote, por tension te ajo dinamovite, e cila ka nisur të konfrontohet me njëri-tjetrin. Ndërhyn policia, por gjërat nuk qetësohen. Sepse një gol i dyshimtë i Vilës i bën ballshiotët të hidhen të gjithë në sulm ndaj gjyqtarit Alla.
Ndërsa në Pogradec dukej qartazi se Shkumbini e Besa e kishin lënë për barazim. Duhet thënë kështu, me qëllim që dikush të dëgjojë (se për t’u parë, u pa më qartë sa nuk kishte ku të shkonte) në Federatë apo gjetkë, pasi ndeshja e djeshme në Pogradec ishte më shumë se një miqësore e kurdisur. Lojtarë që bënin sikur luanin, trajnerë që as e merrnin mundimin të ngriheshin nga stoli, presidentë që ngadhënjeheshin në tribunë. Në antipod me ta ishin vetëm tifozët. Vetëm ata kërkonin që të shikonin në fushën e lojës një ndeshje të rregullt. Madje nuk u kuptua edhe gjithë ajo zallamahi që u bë para këtij takimi lidhur me fushën se ku do të luhej (kjo pasi Shkumbini është i dënuar që t’i luajë katër ndeshjet në fushë asnjanëse), pasi pa dashur aspak të paragjykojmë kurrkënd, ky takim vetëm barazim do të dilte. Në këtë kontekst nuk i prishej punë as Shkumbinit dhe as nuk dënohej totalisht Besa me rënie direkte nga kategoria. Në pjesën e parë nuk u gjuajt asnjëherë në portë, ndërsa në të dytën u bënë si me telekomandë 4 gola në pak minuta dhe nisi sërish monotonia me pasime vetëm në mesfushë. Në fund, si Shkumbini dhe Besa, të gëzuar.
Irritimi i tifozëve: Nuk duam barazim!
Që takimi i djeshëm ishte i stisur, u qartësua edhe nga irritimi i tifozëve, të cilët përgjatë gjithë pjesës së parë thirrën në kor: “Nuk duam barazim! Nuk duam barazim!”. Madje tifozët e ardhur nga Peqini nisën të etiketonin si “të shitur” kavajasin e tyre, Bekim Kuli, gjë që e detyroi në një farë mënyre trajnerin Kristaq Mile që ta zëvendësonte që në minutën e 22-të të pjesës së parë. Për të normalizuar gjendjen mes tifozëve, që ofendonin lojtarin, u desh ndërhyrja e policisë dhe largimi i Kulit drejt dhomave të zhveshjes. Mirëpo, në çastin e daljes nga fusha, edhe lojtari lëshoi sharje adresuar tifozëve. Ndërkaq, këta të fundit pas mbarimit të pjesës së parë u larguan në mënyrë masive nga shkallët e stadiumit të Pogradecit. Në fakt, më mirë një xhiro buzë liqenit, sesa edhe 45 minuta të tjera teatër në fushë, në një kohë kur tifozët kishin marrë mundimin të udhëtonin nga Peqini e Kavaja për ta parë këtë takim.
Superiore/ Java 30
DJE
Dinamo-Bylis 1-1
Vila 89′/ Abazaj 64′
Shkumbini-Besa 2-2
Grboviç 54′, Mustafaj 57′/ Sefa 62′, Nora 68′ (p)
Sot
Kastrioti-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 16:30
Tirana-Skënderbeu 16:30
Vllaznia-Elbasani 16:30
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Skënderbeu 29 20 4 5 64
2. Flamurtari 29 20 2 7 62
3. Vllaznia 29 15 8 6 53
4. Tirana 29 11 11 7 44
5. Laçi 29 13 4 12 43
6. Dinamo 30 10 8 12 38
7. Shkumbini 30 10 6 14 36
8. Teuta 29 9 8 12 35
9. Bylis 30 10 4 16 34
10. Kastrioti 29 8 9 12 33
11. Besa 30 8 9 13 33
12. Elbasani 29 4 3 22 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”.
LEONARD KARAJ