SHKUP- Kuvendi i Akademise se Shkencave dhe Arteve te Maqedonise miratoi mbrëmë vonë vendimin e Keshillit të Akademisë për shpërndarjen e redaksisë së enciklopedisë maqedonase të udhëhequr nga Akademiku, Bllazhe Ristovski.

Vendimi është mbështetur nga 45 akademike, një ka votuar kunder kurse dy abstenim.

Akademia ka vendosur që në afat prej një muaji të formohet një redaksi e re e cila më pas do të vendosë nëse do të përdoren tekstet e enciklopedisë kontestuese apo do të botohet enciklopedi krejtësisht e re.

Ky vendim u ndërmorr nga Akademia pas kritikave të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit për shkak të përmbajtjes fyese dhe të pavërtetave të mëdha për shqiptarët dhe historinë e tyre.

Në botim për shqiptarët thuhej se janë “njerëz mali, njihen si shiptari, arnauti etj”. Gjithashtu në enciklopedi thuhej se “shqiptaret ne Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria dhe se me forcë i kanë dëbuar maqedonasit nga vendbanimet e tyre”.

Nga këto shkrime është distancuar Kuvendi i Akademisë. “ASHAM distancohet nga pjesët kontestuese, formulimet dhe qëndrimet personale të autorëve të caktuar dhe ato në tërësi duhet të terhiqen nga botimi. Do të përgatiten njësi të reja nga autorë të tjerë ”, deklaroi akademiku Vllado Kambovski pas mbledhjes së Kuvendit të Akademisë. Kuvendi i Akademise gjithashtu ka vendosur ndalimin e shitjes se 1500 ekzemplarëve të enciklopedisë kontestuese.

Akademiku Bllazhe Ristovski, i cili mbron me ngulm enciklopedinë skandaloze i tërhoqi vërejtjen Akademisë se do të përballen me sanksione nëse tentojnë që në enciklopedinë e re të përdorin tekste nga enciklopedia e ndaluar.

Ristovski ka mbrojtur shkrimet fyese për shqiptarët ndërsa akuzat e ngritura kundër tij i ka quajtur presione të ndikuara nga politika.
(s.g/Europaelire/BalkanWeb)