Ambasadori i Shqipërisë në Itali dënon rëndë aktin e 33-vjeçarit Arsen Selmanllari, duke cilësuar se nuk ishte shoferi i tij personal. Kola: Çështja do të hetohet nga drejtësia italiane



TIRANË - Shoferi i ambasadës shqiptare në Itali, Arsen Selmanllari, i arrestuar tri ditë më parë me një kilogram kokainë, mbahej prej kohësh nën vëzhgim nga policia italiane, e cila ka vënë në dijeni edhe institucionet shqiptare. Një fakt i tillë pohohet për “Korrierin” nga burime të rezervuara, të cilat thanë se ndalimi dhe kontrolli i një automjeti që është pjesë e përfaqësisë diplomatike nuk mund të kryhet pa marrë miratimin e Ministrisë së Jashtme përkatëse, apo ambasadës së vendit të cilit i përket ky automjet. Dhënia e këtij autorizimi ka disa procedura, të cilat kërkojnë kohë dhe realizohen nëpërmjet shkresave zyrtare. Në rastin e ndalimit të 33-vjeçarit Selmanllari, këto procedura duket se “janë kapërcyer”, pasi skuadra kundër krimit të organizuar e Guardia di Finanza, e cila padyshim që nuk është ndodhur rastësisht në të dalë të Milanos, ka kryer kontrollin e automjetit me targa diplomatike, menjëherë pas ndalimit të të dyshuarit, gjë e cila është e ndaluar me ligj. Në rast se ndalimi dhe kontrolli është kryer konform të gjitha procedurave ligjore, do të thotë se Ministria e Jashtme është vënë në dijeni më parë dhe ka dhënë autorizimin për ndalimin dhe kontrollin e shoferit të ambasadës. Gjithsesi, hetimet për këtë çështje do të zhvillohen nga pala italiane, e cila pritet të zbardhë nëse shoferi i ambasadës është përfshirë në një linjë trafiku kokaine me automjetin e përfaqësisë sonë diplomatike në Itali. Pavarësisht këtyre “kapërcimeve”, institucionet zyrtare nuk kanë deklaruar në asnjë moment se ishin vënë në dijeni për veprimtarinë e shoferit të ambasadës shqiptare në Itali. Vetë ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, dënoi aktin e rëndë. Në një prononcim për mediat, ambasadori shqiptar në Romë tha se “drejtësia italiane do të vazhdojë hetimin e plotë mbi këtë çështje”. Kola deklaroi se kjo ngjarje nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve. “Ngjarja e rëndë nuk do të prekë marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit që ekzistojnë midis Italisë dhe Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Kola. Në prononcimin e tij për mediat shqiptare, ambasadori Kola saktësoi se 33-vjeçari për të cilin Gjykata e Milanos ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk ka qenë shoferi i tij personal, por i  ambasadës shqiptare në Itali. Ai gjithashtu sqaroi se Arsen Selmanllari punonte prej një viti në ambasadën shqiptare në Romë dhe është emëruar në bazë të të gjitha normave që plotësohen për emërimin e personelit të ambasadave, duke shmangur kështu çdo lloj pretendimi për mënyrën e emërtimi të tij.