TIRANE- "Sonila na la…" Këto janë fjalët që kanë tronditur botën shpirtërore të mikes më të afërt të 26-vjeçares Sonila Tafa, e cila ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes në një nga lokalet e natës në kryeqytet. Ilda Rapo është balerinë, por në të njëjtën kohë edhe një nga njerëzit që e ka njohur më mirë Sonilën, pasi bashkë ato kanë pasur një miqësi shumë të ngushtë prej afro 15 vitesh. 

“Nuk më besohet që ajo nuk është më mes nesh. Nuk më besohet që një njeri me shpirtin e saj nuk jeton më”, - rrëfen për Gazetën Shqiptare, Ilda. Me zërin që i dridhet, ajo kërkon që të paktën pas vdekjes së Sonilës, njerëzit të mos thurin histori dhe intriga ndaj një njeriu të tillë, por ta lënë shpirtin e saj që të prehet i qetë. 

Si jeni njohur me Sonilën? 
Kemi qenë shoqe që në klasë të katërt. Kemi studiuar bashkë për balet. Kemi qenë edhe në një akademi. Kemi qenë shumë të lidhura bashkë. Ku punonte Sonila? 
Pas vdekjes së saj, janë hapur shumë fjalë. Mediat kanë shkruar shumë histori, që nuk qëndrojnë dhe që nuk janë të vërteta. Dua të sqaroj që Sonila nuk ka punuar asnjëherë as në lokalet e natës, nuk ka punuar asnjëherë si striptiste. Sonila ka mbaruar shkollën për balet, ka punuar gjithmonë si balerinë, por asnjëherë nuk ka punuar në lokalet e natës. Ne kemi mbaruar bashkë balet. Për momentin, Sonila nuk ishte e angazhuar me baletin, por punonte me disa receta farmacie, angazhohej herë pas here me ato. Por, nuk janë të vërteta ato që thuhen rreth saj. Ajo ka qenë një vajzë shumë e mirë. Nuk më besohet se, Sonila që ishte aq e mirë, nuk jeton më. 
Thuhet që Sonila edhe mund të ketë pasur lidhje me ndonjë nga djemtë që u përfshi në sherr; është e vërtetë kjo? 
Absolutisht që jo. Sonilën atë ditë e kishim ftuar ne, e kishte ftuar një miku ynë në lokalin ku ne punojmë. Kishim kohë pa dalë me Sonilën për shkak të punës dhe meqë ajo donte të dilte, të largonte mendjen, e ftuam në lokalin ku ne punonim. Sonila ishte në tavolinë me shoqërinë tonë, me balerinë, të cilët edhe ajo i njihte dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me asnjë nga djemtë që u përfshi në sherr. 
Ku ishit juve kur ndodhi sherri mes dy tavolinave? 
Unë kam qenë duke punuar atë ditë dhe kam qenë e zënë. Madje, edhe në tavolinën ku ndodhej Sonila kam qëndruar shumë pak, as dy minuta, sa piva një cigare dhe u largova. Në momentin që ndodhi konflikti, isha lart në dhomat e zhveshjes duke marrë rrobat e kërcimit. Kur vij poshtë, shikoj që dyert ishin mbyllur nga badigardët dhe asnjë nuk lejohej që të dilte jashtë. 
Po për Sonilën çfarë ju thanë, si e kishin qëlluar atë? 
Sonila kishte dalë e parë tek dera në momentin që ata djemtë kishin qëlluar në drejtim të derës së lokalit. Pas kësaj, badigardët i kishin mbyllur dyert dhe nuk kishin lënë më asnjë që të dilte jashtë. Kur dola unë, pashë shokët e mi që qanin dhe i pyeta se çfarë kishin. Më thanë vetëm që “Sonila na la”. Vetëm kaq. Pasi u qetësuan pak gjërat, shkuam në Spitalin Ushtarak, ku Sonila ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit. Në fillim lajmëruam motrën e saj, dhe më pas familjarët e tjerë. 
Si ishte si tip Sonila? 
Ishte vajzë e mrekullueshme, njeri i sjellshëm, plot ëndrra, plot jetë. Nuk më besohet që ajo nuk është më mes nesh. Nuk më besohet që një njeri me shpirtin e saj, nuk jeton më. Ishte njeri me shpirt të madh, njeri i qeshur dhe i dashur me të gjithë. Ajo na mungon të gjithëve.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)