Bulqizë


Ngjarja ka pasur vetëm dëme materiale. Policia heton kryesisht konfliktet në minierë


makina_8Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi në oborrin e një shtëpie në qytetin e Bulqizës, ka shkaktuar dëme materiale dhe ka terrorizuar banorët e zonës përreth. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se shpërthimi ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, në lagjen Gjeologu, ku i është vënë një sasi lënde eksplozive makinës së shtetasit Ardian Duriçi, 25 vjeç, me targa AA 410 BG, e cila ndodhej e parkuar në oborrin e shtëpisë private. Fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, si dhe ka terrorizuar banorët përreth.


Si pasojë e këtij shpërthimi, ka pësuar dëmtime motori i makinës, që është shkatërruar plotësisht, si dhe janë dëmtuar dyer e dritare të fqinjëve, përfshirë edhe një tjetër mjet, i cili ndodhej në afërsi të makinës ku është vendosur eksplozivi.


Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë që kanë nisur punën hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Të pyetur në lidhje me këtë ngjarje, familja Duriçi ka konfirmuar se nuk ka konflikte pronësie apo biznesi me askënd dhe se ngjarja, krahas dëmeve materiale, ka shkaktuar edhe terrorizimin e fëmijëve. Paraprakisht, nga burime konfidenciale brenda policisë lokale mendohet të jenë dy pista, ku dhe do të përqendrohet hetimi për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pista e parë e hetimeve është ajo e kromit, ku shfrytëzuesit e minierës në këtë qytet prej kohësh janë në konflikte me njëri-tjetrin. Kemi dyshime se shpërthimi mund të ketë lidhje me shfrytëzimin e minierës së Bulqizës për krom. Në pyetje janë marrë pjesëtarë të familjes Duriçi, të cilët nuk kanë dhënë ndihmë për hetuesit e çështjes, pohojnë burimet nga policia.


Ndërkohë, pista e dytë që po hetohet ka të bëjë me konfliktet e pjesëtarëve të kësaj familjeje. Ndërkohë, sipas policisë, priten të vijnë ekspertët nga Tirana për të përcaktuar llojin e eksplozivit që i është vënë makinës. H.L.


 


Ky shkrim Shpërthim eksplozivi në një makinë, dyshohet për konfliktet e kromit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.