Beteja ka nisur prej disa vitesh tashmë. Është betejë kulturore veçse. Pjesë e saj janë një grup intelektualësh shqiptarë e italianë, dashamirës të kulturës dhe historisë, por edhe mbrojtës të saj. Qëllimi është një i vetëm: të shpëtojnë Pallatin e Skënderbeut (Palazzo Scanderbeg), i cili gjendet në zemër të Romës, shumë pranë Fontana di Trevi, në rrugën që mban gjithashtu emrin e Heroit tonë Kombëtar. Në kryeqytetin e Italisë, ku gjendet gjithashtu edhe një statujë e Gjergj Kastriotit, pallati në të cilin ai qëndroi për rreth një vit (1465-1466) dhe që në dukje mban ende emrin e tij, për fat të keq nuk është më dëshmi e veprave të tij. Sot është kthyer në Muzeun Kombëtar të Makaronave. Më pas ka dalë edhe pronari i ligjshëm i pallatit, i cili dëshiron ta shesë. Shuma parashikohet marramendëse. Prej vitesh të angazhuarit në këtë betejë ngrenë pyetjen: A ia vlen që të zvogëlohet dhe të zëvendësohet vlera e një populli, kultura dhe tradita e tij, lufta e një heroi me një muze makaronash? Të shumtë janë zërat që e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë akt. Mes tyre edhe gazetarë italianë. Prej muajsh kanë kryer hetime, kanë bërë thirrje, janë angazhuar dhe kanë hapur edhe një faqe në internet (www.laveracronaca.com), në të cilën bëjnë të ditur çdo lajm mbi Pallatin e Skënderbeut, publikojnë artikuj, e thirrje të gjithkujt që ka dëshirë t‘i bashkohet çështjes. Vetëm pesë ditë më parë kanë bërë të ditur një lajm të gëzueshëm, të cilin e kanë transmetuar jo pa krenari. "Me kënaqësi të jashtëzakonshme bëjmë të ditur se pas disa muajsh pune, hetimi ynë mbi Pallatin e Skënderbeut ka dhënë frytet e tij. Ambasada shqiptare (në Itali) me udhëzime nga qeveria shqiptare, ka kontaktuar Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, si dhe vlerësuesin e politikave kulturore të Komunës së Romës, Umberto Croppi, për të korrigjuar çështjen e Pallatit të Skënderbeut vënë në pah për një kohë të gjatë në këtë faqe. Që nga ky moment, çështja është në duart e diplomatëve dhe pritet që për një kohë të shkurtër të zgjidhet gjithçka, duke i dhënë mirënjohjen e duhur kësaj godine, qendër e kujtesës historike, por edhe kulturore e dy popujve të ndryshëm, atij shqiptar dhe italian", shkruhet në këtë blog. Ndër të tjera, theksohet edhe fakti se hetimi do të vijojë dhe lexuesi do të ketë mundësi të njihet më tej me vijueshmërinë e çështjes, duke siguruar edhe një herë se zgjidhja pozitive nuk do të jetë e vonë. Ndër të tjera, ata bëjnë të ditur se shumë shpejt do të publikohet edhe një libër në lidhje me hetimin mbi këtë Pallat dhe mbi figurën e Skënderbeut. Po dje, në gazetën "L‘Unico", e përditshme e pavarur e Romës, është botuar një artikull i titulluar "Pallati i Skënderbeut, nga Muze i Makaronave në braktisje. Ja si i kujtojmë heronjtë europianë". Autori Pierfrancesco Palattella, gjithashtu i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së pallatit ku qëndroi Skënderbeu, e nis shkrimin me një historik kushtuar figurës së tij. Ai shpjegon rëndësinë e këtij heroi, i cili nuk ishte vetëm shqiptar, por edhe europian, për arsyet që ne të gjithë i dimë. "E kemi nisur këtë hetim të gjatë gazetaresk për t‘i shkuar kësaj çështjeje deri në fund, pasi dëshironim të gjenim një zgjidhje në nder të së vërtetës historike", thotë ai. "Gjatë muajve të punës kemi gjetur aleatë të çmuar që na kanë mbështetur, kemi bërë aleanca të rëndësishme dhe për sa më takon mua, kam njohur deri në fund krenarinë e një populli, atij shqiptar, që më shumë se një herë na ka dëshmuar mirënjohjen e tij. Tashmë duket se gjendja është vënë në lëvizje. Makina diplomatike ka filluar të reagojë. Nëpërmjet ambasadash e ministrish, po kërkohet që të gjendet zgjidhja më e mirë për këtë çështje. Qëllimi i vetëm është që një heroi europian (jo vetëm shqiptar), i cili ka luftuar për krishterimin, t‘i jepet mirënjohja, të rivendoset në vend e vërteta historike dhe të rikuperohet një godinë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së të dy popujve", vijon më tej Pierfrancesco Palattella. Media, edhe një herë duket se e ka kryer misionin e saj. Ka mbështetur dhe i ka ardhur në ndihmë një proteste të ligjshme, e cila, siç ka kujtuar në një intervistë themeluesi i Komitetit për Mbrojtjen e Kulturës Europiane, Costanzo D‘Agostino, ka nisur në vitin 2004 gjatë një vizite në Shqipëri. Visar Zhiti e pat pyetur se çfarë mendonte që në Romë, në Pallatin e Skënderbeut, imazhi i Heroit Kombëtar shqiptar dhe europian lidhej me atë të makaronave dhe të fisnikëve të miellit... Pikërisht atëherë ai përpiloi një letër të hapur, të cilën e firmosi në emër të komitetit. Nisi në këtë mënyrë një fushatë kulturore për të shkulur prej Pallatit të Skënderbeut emrin e Muzeut të Makaronave. Arbëreshët e Italisë ishin përkrahësit e parë. Edhe interneti doli një armë me të vërtetë efikase për këtë betejë. Me mijëra e-maile u dërguan në adresë të politikanëve dhe strukturave universitare, akademive dhe shoqatave kulturore, ministrive, ambasadave e selive të ndryshme institucionale. Fletëpalosje u shpërndanë në rrugët kryesore të Romës, manifeste u ngjitën në muret historike shumë pranë Pallatit Skënderbe... Nuk është shumë ajo çka kjo betejë kulturore e nisur kohë më parë kërkon: një pllakë monumentale ku të shkruhet qartë emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe një hapësirë e vogël ku të ekspozohen objekte e dokumente që të rrëfejnë për të. Sepse, siç është shprehur edhe pasardhësi i heroit tonë, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, betejat kulturore aq të nevojshme janë të ndryshme nga ato të të madhit Gjergj, por kanë një vlerë të dyfishtë: të nderojnë kujtimin e një Heroi, të paktën me një pllakë përkujtimore të vendosur në një vend të dukshëm, si edhe të nderojnë vendin e shqiponjave, tokën ku lindi ky njeri i madh.