Kombëtarja Shpresa ka arritur fitoren e parë në eliminatoret e Europianit 2013. Në grupin 6, kuqezinjtë 21 vjeçarë kanë mposhtur 4-3 Moldavinë, në ndeshjen e luajtur në Korçë.

Takimi ka qenë një “thriller” i vërtetë, me miqtë që kaluan dy herë në avantazh. Por, dy herë Sadiku, debutuesi Brahimi dhe Telushi, e bënë gjithçka të pavlefshme për moldavët, ndërsa trajneri Bushati hodhi në fushë edhe talente si Hysenbelliu.

Për kombëtaren Shpresa ishte fitorja e parë në këto eliminatore, në dy ndeshje të zhvilluara. Të premten ajo u mund 0-3 nga Polonia, në një sfidë tejet të çuditshme.

Shqipëria ndodhet në grupin 6 së bashku me Rusinë, Portugalinë, Poloninë dhe Moldavinë. Bëhet fjalë për një grup të vështirë, pasi rusët e portugezët duket se do të rivalizojnë me njëri-tjetrin për kualifikimin.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)