Dhuna në shkolla është një dukuri shoqërore mjaft shqetësuese. Në vitet e fundit, një perceptim i përbashkët është shfaqur ku mendohet se dhuna është bërë më e përhapur nëpër shoqëri, duke e përfshirë edhe sistemin e edukimit. Dhuna në shkolla reflekton çka është duke ndodhur në një shoqëri si tërësi.

Hulumtimet e fundit të bëra nga organizatat joqeveritare që kanë përfshirë nxënës të shkollave të mesme të nivelit të ulët dhe të lartë në vend, kanë treguar për një trend të rritjes së dhunës fizike dhe psikologjike në mes nxënësve.

Në kuadër të kësaj, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP), organizon tryezën e rrumbullakët me temë, "Siguria në shkollat e Komunës së Prishtinës".

Në këtë tryezë, Komuna e Prishtinës dhe projekti i UNDP-së, "Pulsi Publik" do të prezantojnë "Raportin për dhunën dhe sigurinë në shkollat publike të Komunës së Prishtinës", i cili e trajton perceptimin e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve për çështjen e sigurisë në shkollat e Komunës së Prishtinës.

KosovaLive ka raportuar ditë më parë se krijimi i mjediseve të sigurta, jo të dhunshme dhe humane në shoqëri dhe shkolla është një kusht elementar për efikasitetin e sistemit të arsimit në Kosovë. Po ashtu, krijimi i mjediseve të sigurta, jo të dhunshme dhe humane e miqësore për fëmijë me nxënësin në qendër është kusht për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Rastet e konflikteve përbrenda shkollave duhet të vlerësohen dhe të cilësohen si serioze dhe njëkohësisht të punohet në atë drejtim. Institucionet vendore në bashkëveprim me prindërit duhet të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të një debati publik për bashkëpunimin prindër-shkollë-nxënës në mënyrë që të evidentohen rastet e tilla.

Bashkëpunimi i tillë jo vetëm që do krijonte hapësira të mjaftueshme për kooperim të përbashkët, por gjithashtu, do të mundësonte njohjen apo shkaktarin e konfliktit para se të ndodhte ai, i cili do bëhej i mundur përmes palëve.