Publicisti i njohur, Vehbi Bajrami, në një shkrim botuar edhe në gazetën “Shekulli”, më 4 tetor, shtronte një problem të mprehtë publik dhe gjuhësor, çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në ceremonitë myslimane publike. M’u duk me interes të veçantë shkrimi dhe po dërgoj këtë ese për botim në gazetën “Shekulli”.


Gjuha shqipe ka qenë dhe ështe një problem i madh mbarëkombëtar. Rilindasit dhe mendimtarët e shquar, atdhetarë të të gjitha kohëve, i kanë kushtuar gjuhës shqipenjë vëmendje të madhe dhe kanë mbrojtur e përkrahur zhvillimin e saj. Gjuha shqipe është, jo vetëm elementi kryesor i identitetit tonë, por edhe bartëse e vlerave të pamasa kombëtare.


Tashmë kemi një gjuhë letrare të njësuar, pavarësisht nga paplotmëria e saj dhe diskutimet e zhvilluara. Qëllimi ka qenë, edhe në rastet e diskutimeve më të skajshme, një gjuhë e njësuar me bazë sa më të gjerë dhe sa më të përdorshme nga çdo shqiptar.


Tipar i rëndësishëm kombëtar dhe tepër i dalluar nga popujt e kombet e tjerë, ka qenë dhe është harmonia fetare. Të tria fetë: myslimanizmi, katolicizmi dhe orthodoksizmi, kanë qenë dhe janë në harmoni dhe bashkëpunim. Kjo ka qenë dhe është, jo vetëm një arritje e rëndësishme historike kombëtare, por edhe një akt i shënuar publik-kulturor.


Nga një vështrim tepër i përmbledhur i historisë së përpjekjeve për problemin e gjuhës shqipe nga atdhetarë të penës dhe klerikë të tria besimeve, mund të shihetdukshëm bashkëpunimi, si dhe puna e veprimtaria për shkrimin shqip, për të përkthyer, adoptuar ose shkruar tekste, fjalorë, udhëzues për përdorimin e gjuhës shqipe edhe në institucionet fetare.


Një vit e gjysmë pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, uthemelua në Stamboll, më 1879, “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”. Sipas burimeve të kohës, përmenden si anëtarë të kësaj shoqërie: Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jani Vreto, Koto Nase Hoxhi; ndërsa një burim tjetër përmend edhe Zija dhe Ali Danishin nga Prishtina. Anastas Kullurioti shkruante: "Vetëm me anën e shkronjave shqipe dhe të gjuhës amtare, kanë për t'u përhapur dritat e shkencës, kanë për të ndritur ditë të lumturisë dhe idetë e qytetërimit e të përparimit dhe në atdheun e shqiptarëve." (Vep. cit. f.138)


Më 1899, Preng Doçi, në krye të një grupi shkodranësh krijoi shoqërinë“Bashkimi” dhe nje alfabet që u quajt “Abc-ja e Bashkimit”. Ndre Mjeda, dy vjet më pas, në vitin 1901, ngriti shoqërinë “Agimi”. Në të njëjtin vit, Ndre Mjeda, ndërtoi dhe përhapi një ABC të ndryshme nga ajo e “Bashkimit”. ABC-ja e Mjedës, sipas J. Rrotës, “u vu menjëherë në përdorim dhe i zuri vendin të parit”.


Kongresi i alfabetit shqip që u mbajt në Manastir, në nëntor 1908, zgjodhi si kryetar atdhetarin dhe eruditin e madh, Mit’hat Frashërin, dhe krytar të ABC-sëpoetin dhe mendimtarin e shquar, Gjergj Fishtën. Delegatët e Kongresit të alfabetit shqip u përkisnin besimeve të ndryshme, por kur erdhi çështja te miratimi i variantit përfundimtar si alfabet i përbashkët, u desh ndërhyrja e Ndre Mjedës, jo vetëm si poet, por edhe gjuhëtar serioz, që të jepte ndihmesën e vet për kapërcimin e diskutimeve të vështira dhe pranimin e alfabetit të përbashkët që e kemi edhe sot.


Në historinë e kulturës shqiptare, deri sot, ështe i njohur fakti, se dokumenti i parëitë shkruarit shqip është e quajtura “Formula e pagëzimit”, e vitit 1492.


Mendohet se ky dorëshkrim shqip me shkronja latine është lënë prej dorës së Pal Ëngjëllit, kryepeshkopit të Ilirisë. Pal Ëngjëlli udhëzonte besimtarët katolikë që t'i pagëzonin vetë fëmjët, kur nuk kishte mundësi që t'i shpinin nëpër kisha, duke përdorur shqip formulën, që autori e shkruan kështu: “Unte' paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.)


Është dokumenti më i vjetër i gjuhës sonë, të cilin e zbuloi historiani rumun Nicolae Jorga.


Me “Meshar”-in(1555) e Gjon Dedë Buzukut, shpaloset një fazë e re dhe më e gjerë e gjuhës shqipe. Buzuku që në frazën e parë të parathënies tregon se e bëri këtë punë, “Meshar”-in nga dashuria për njerëzit, që ata të luteshin dhe ndiqnin ceremonitë fetare shqip.


“Meshari” është transilteruar dhe transkriptuar nga Prof. E. Çabej. Ai, duke u mbështetur në mënyrën e së folmes të përdorur te "Meshari", mendon se Gjon Dedë Buzuku, ka qenë prej Gegërie dhe se vendlindja e Buzukut do të ketë qenë ndonjë fshat, diku në malësinë e krahinës së Krajës, apo të Shestanit, dy krahina këto midis Shkodrës, Ulqinit e Tivarit.


Shkrimtarë të tjerë klerikë katolikë si, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, e ndonjë tjetër, u përpoqën dhe e shkruan shqipen, kryesisht me alfabetin latin, prandaj edhe ABC-të e tyre shëmbëllejnë, ku më shumë e ku më pak, më njëra-tjetrën.


Përpjekje të shënuar u bënë edhe ngashkrimtarë orthodoksë për të përdorur gjuhën shqipe në të gjithë ritualet e ceromonitë fetare. Po përmendim punën e zellshme të Kostandin Kristoforidhit, i cili, përveç punëve të tjera madhore për gjuhën shqipe, patinjë veprimtari shumë të begatë si përkthyes veprash fetare (1864-84). Kjo traditë u pasua nga Grigor Gjirokastriti, Kostë Berati etj.


Në krye të këtyre përpjekjeve për shqiptarizimin e kishës orthodokse edhe nga ana gjuhësore, ishte Fan Stilian Noli. Synimi i këtij vigani të shqiptarizmit për shkëputjen e kishës orthodokse shqiptare nga Patrikana dhe ndikimi grek, filloi nga futja e shqipes në meshat dhe ritualet e tjera fetare si, në pagëzime, në martesa etj. Noli përktheu me qindra faqe dhe e futi shqipen në punët e përditshme të kishës orhtodokse.


Nuk mungojnë të dhënat edhe për përpjekjet e klerikëve myslimanë në përdorimin e gjuhës shqipe, në ritet dhe ceremonitë fetare në xhami ose teqe. Poeti ynë i madh kombëtar, Naim Frashëri, shkroi dy libra, të cilët janë, “Qerbelaja” dhe “Fletore e bektashinjve”, që synonte t’u fliste shqip myslimanëve bektashinj.


Prof. OsmanMyderizi, me të cilin kam pasur fatin të punoj, ka bërë një punë prej pionieri në zbulimin dhe përkthimin shqip të mjaft teksteve fetare nga gjuha arabe dhe osmanishtja.


Meriton një vëmendje të veçantë ndihmesa dhe puna e pasionuar e Imam, Vehbi Ismailit, për gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj gjerësisht në xhami në ceremonitë publike dhe ato mortore. Imam, Vehbi Ismaili, i dilpomuar në Kajro, kishte një formim akademik të spikatur dhe institucionin e xhamisë në Detroit e ktheu në një institut të mirëfilltë fetar dhe gjuhësor. Kam ndjekur disa herë ceremonitë fetare në xhami, madje edhe në festat e Bajramit; ai fliste në një shqipe të rrjedhshme dhe të qartë, duke thënë shqip të gjitha lutjet dhe urimet. Madje edhe“pjesët kur’anore gjatë faljes së namazit të Bajramit”, thuheshin dhe dëgjoheshin shqip. Edhe në rastet mortore, Imami Vehbi Ismaili, përdorte dhe fliste vetëm shqip.


Imam Vehbi Ismaili, punonte me një zell të pamasë për përkthimin shqip të librave fetare nga arabishtja në shqip. Me librat e përkthyera nga arabishtja fetare në shqip mund tëformohej një bibliotekëz pranë xhamisë. Në mjediset e xhamisë, Imam Vehbi Ismaili, hapi edhe një shkollë për fëmijë e shqiptarëve të mërguar, në të cilën ai jepte vetë mësim.


Më 6 qershor 1951, u bë hapja zyrtare e Qendrës Islamike Shqiptare në Harper Woods, Michigan. Në ditën e përurimit, Imam Vehbi Ismaili, midis të tjerash, tha: “Me ndihmën dhe Emrin tënd, o i Madhi Zot, hapim të parën Falëtore MuslimaneShqiptare, duke të lutur që kjo Falëtore të bëhet një institucion i Shenjtë për të mësuar principet fetare, shoqërore dhe morale Islame; të jetë shkollë për të edukuar njerëz të mirë e të nderçëm, të bëhet fole për t’u mësuar të rinjve e të rejave shqiptare gjuhën e ëmbël tonën, shqipe. (Vehbi Bajrami: “Shqiptarët e Amerikës”, 2003, f.115)


Një personalitet tjetër i fesë myslimane ka qenë Baba Rexhebi, të cilin kam pasur fatin e bardhë ta takoj dhe ta vizitoj qysh në fëmijëri, në Teqenë e Zallit, në Gjirokastër. Ai ishte, jo vetëm një nacionalist i shquar, por edhe nje erudit fetar, Një ndër meritat e tij është themelimi i Teqesë Bektashiane në Taylor, Michigan. Siç shkruan edhe Xhevat Kallajxhiu, “Teqeja ka në krye të saj një klerik të vlefshëm si Baba Rexhebi, i cili e drejton atë me dinjitet dhe zotësi. (“Shqiptarët e Amerikës”, f.121).


Baba Rexhepi, në Teqe, fliste një shqipe të bukur e të thjeshtë. Ai ka lënë vepra të shkëlqyera, siç është “Misticizma islame dhe bektashizmi”, që numërohet si një nga kryeveprat e filozofisë islame në gjuhën shqipe. Veprat e shkruara nga ai dallohen për kulturë e dashuri edhe për gjuhën shqipe.


Me interes është të përmendin edhe një fakt tepër domethënës. Kur Ahmet Zherka, aktivist i shquar i Diasporës, humbi vajzën e tij, Nexhmijen, oficere edalluarnë ushtrinë e SHBA-ve, ai dëshmoi cilësi të larta atdhetare dhe qëndrese. Dhimbjen e përballoi me durim tejnjerëzor dhe ndërhyri që, lutjet mortore për vajzën, të kryheshin vetëm në gjuhën shqipe. Kur hoxhallarët ngulmuan që ato, pjesërisht, të bëheshin edhe arabisht, ai nuk u pajtua me mendimin e hoxhallarëve. Këtë qëndrim të familjes së tij, Ahmet Zherka, ua bëri të njohur edhe pjesëmarrësve të shumtë në këtë ceremoni mortore. “Ne - tha Ahmet Zherka - jemi familje shqiptare, edhe pse respektojmë islamizmin, duhet të ndjekim traditat tona, të flitet vetëm shqip edhe në ceremonitë mortore”. Këtë qëndrim ai e bëri të njohur publikisht edhe me një njoftim në gazetën “Bota sot”.


Mendoj se shqetësimi i shprehur nga gazetari, Vehbi Bajrami, për përdorimin e gjuhës shqipe në ceremonitë dhe ritualet publike, si dhe ato individuale në besimin mysliman, merr një rëndësi të gjerë dhe është, sa linguistike, aq edhe publike. Kjo më nxiti të ndaj me lexuesin disa mendime dhe përshtypje vetjake.


Kuptohet se, në themel të çdo debati, ose diskutimi, duhet të vihet nderimi, respekti dhe ndjeshmëria e barabartë për të gjithë besimtarët dhe klerikët e tri feve, sepse siç mësonte edhe Naim Frashëri: “Gjithkush, çdo besim ta respektojë” aq më tepër se “të gjitha fetë kanë veç një themel të përbashkët” dhe për ata që besojnë “Zoti është një”. Poeti ynë thoshte se, edhe perëndia vetë, ka folur shqip. Ja si shprehet Naim Frashëri te vjersha“Shqipëria”:


Bota që kur është zënë / Shqipëria gjall’ ka qënë / Pellazg’ u thoshin më parë / Më së fundi shqiptarë / Gjuh’që flisnin Perënditë / Atë flisnin Pallazgjitë / Atë kanëshqipëtarët. (Naim Frashëri - Vepra letrare, 1999 f. 123)


Pavarësisht nga metafora poetike, në këtë vjershë, mund të përfundohet se, gjuha shqipe, si ndër më të lashtat në gjirin e gjuhëve indoeuropiane, është një gjuhëkomunikuese qytetëruese, me vlera të shumta linguistike e artistike, me aftësi shprehësë e ligjëruese të pamasa, duke përfshirë edhe institucionet dhe ceremonitë fetare në tre besimet tona: Shqip, shqip, shqip.