Shqipëria do të japë 30 mijë euro për Haitin. Lajmi konfirmohet nga qeveria shqiptare, e cila përfshihet në listën e atyre vendeve që janë solidarizuar me vendin ishullor, që u godit nga një tërmet i rëndë.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i ka dërguar një letër ngushëllimi autoriteteve të Haitit, ku pas një tërmeti mbetën të vdekur mijëra persona.
"Thellësisht i tronditur dhe i prekur nga kjo tragjedi madhore që ka goditur këtë vend, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i shprehur Presidentit të Haitit, Qeverisë, familjeve të viktimave dhe popullit Haitian, ngushëllimet e tij më të thella, vendosi që Shqipëria, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të dhurojë për këtë vend 30 mijë Euro", thekson njoftimi për shtyp i qeverisë shqiptare.