Përfaqësuesja e Shqipërisë të mërkurën mbrëma ka filluar grumbullimin, derisa të enjten ekipi kuq e zi është kompletuar në fshatin Luz të Kavajës, para dy miqësoreve të radhës përballë reprezentacionit të Malit të Zi - që zhvillohet më 25 maj në Podgoricë - dhe atë ndaj Andorrës, që luhet më 2 qershor në Tiranë.



Me këtë rast, kuqezinjtë të udhëhequr nga selektori Josip Kuze kanë zhvilluar një seancë stërvitore gjatë paradites të së enjtes dhe një tjetër në mbrëmje.



Përfaqësueses së Shqipërisë i është bashkuar edhe portieri i Laçit, Ervin Llani në vend të portierit kosovar të dëmtuar, Arian Beqaj. Llani bëhet futbollisti i gjashtë i ri që Kuze ka ftuar në Kombëtare, pas Ditmar Bicaj, Emiljan Veliaj, Bekim Bala, Ahmed Januzi dhe Parid Xhihani.



Të premten në Luz të Kavajës ekipi i Josip Kuzes do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen U-19 të Shqipërisë.



Miqësoret ndaj Malit të Zi dhe Andorrës, përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Josip Kuze i ka cilësuar si testime të mira për ekipin e tij, në prag të fillimit të eliminatoreve për kampionatin evropian, ‘Euro 2012’.



Lëndohet Kapllani



Qysh në stërvitjen e parë të Kombëtares shqiptare të zhvilluar të mërkurën pasdite, sulmuesi i saj Edmond Kapllani ka pësuar një lëndim në nyje të këmbës, me ç’rast, sipas mediave shqiptare, ai rrezikon të mos paraqitet në ndeshjen ndaj Malit të Zi. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve pritet të mësohet saktësisht se a do të mund të luajë Kapllani në Podgoricë.