Megjithëse vendi ka tetë vite që është përfshirë në procesin e anëtarësimit, shumica nuk njeh kostot





Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, që sot kalojnë në një stad tjetër. "Lëvizje e lirë njerëzish dhe mallrash"





Nga sot, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë një kontratë të re mes tyre. Mes dy palëve hyn në fuqi marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe automatikisht shfuqizohet marrëveshja e ndërmjetme, ku të gjitha detyrimet e Shqipërisë karshi BE-së, të përfshira aty, transferohen tek MSA-ja.



Për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, çdo shtet duhet të kalojë nëpër shtatë faza, ndërkohë që sapo ka përfunduar procesi i ratifikimit të marrëveshjes së plotë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Më hyrjen në fuqi të MSA-së, ministrja e Integrimit, Majlinda, Bregu tha dje se vendi ynë do të përfitojë shumë.



Lëvizja e lirë e mallrave dhe punëtorëve drejt vendeve të BE-së, pritet të jetë një nga përfitimet kryesore. Në maj të vitit 1999, Bashkimi Europian miratoi një politikë të re në lidhje me marrëdhëniet e tij me rajonin, të quajtur Procesi i Stabilizim-Asocimit për pesë vende të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë.



Ky proces kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta ndërmjet BE-së dhe vendeve të lartpërmendura, nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit. Marrëdhëniet intensive Shqipëri-BE, në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit, u finalizuan me hapjen zyrtare të Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, në janar të vitit 2003, ndërkohë që tre vite më pas, më saktë në qershor 2006, u nënshkrua në Luksemburg, Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit. Qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është vendosja e stabilitetit politik dhe ekonomik të shtetit kandidat





Marrëveshja





Nga 1 dhjetori i vitit 2006, Shqipëria dhe BE-ja vepronin me njëra-tjetrën në bazë të një marrëveshjeje të Përkohshme (Interim), e nënshkruar nga 1 dhjetori i vitit 2006.



Ndër shumë detyrime, ishte edhe reduktimi gradual i barrierave doganore mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare. "MSA-ja parashikon vendosjen e një zone tregtie të lirë mes Komunitetit Evropian dhe Shqipërisë, që do të thotë se palët do të krijojnë një hapësirë të përbashkët ku, mallrat, personat, shërbimet dhe kapitalet do të qarkullojnë lirshëm, pa barriera fizike dhe teknike",- tha dje ministrja e Integrimit.



Anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, duhet të kalojë në shtatë shkallë, zyrtarët e lartë të qeverisë dhe ekspertë kanë nxituar të japin parashikimet e tyre, për kohën kur vendi ynë do të bëjë pjesë në këtë komunitet.



Sipas përfaqësuesve të qeverisë, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në BE brenda vitit 2014, ndërsa parashikime më pesimiste thonë se anëtarësimi nuk do të ndodhë para vitit 2020. Megjithatë, anëtarësimi në BE është trumbetuar fort që nga viti 2001, kur Shqipëria nisi procedurat e para të anëtarësimit.



Që nga ajo kohë, procesi i anëtarësimit ka qenë në krye të agjendës së forcave politike. Edhe pse prej shumë vitesh flitet për këtë proces, pjesa dërrmuese e shqiptarëve pak njeh anën tjetër të tij. Shumica e lidh anëtarësimin me lëvizjen e lirë dhe me shmangien e radhëve të gjata pa viza, ndërsa është folur pak për kostot.