Shqipëria është tashmë një vend i pastër nga minat. Në vend ka ende zona të ndotura nga mbetje luftarake, por minat që u "mbollën" në fund të viteve ‘90 nga ushtria serbe në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, tashmë nuk ekzistojnë më.

Në Tiranë është duke u zhvilluar këto ditë një seminar i protagonistëve të Kartës së Gjenevës për një botë të pastër pa mina. Dhjetëra përfaqësues të vendit dhe të huaj që ndjekin seminarin kanë udhëtuar në Kukës për të parë nga afër repartet e rehabilitimit të viktimave të minave etj., si dhe repartin e përgatitjes së protezave. Në përbërje të grupit të zgjeruar të seminaristëve kanë qenë drejtues të AMAE-së, agjenci shtetërore e veprimit kundër minave, drejtues të shoqatës "Alb-Aid", e cila ka asistuar viktimat e minave që prej 10 vitesh, përfaqësues nga ambasadat e vendeve donatore, si dhe ekspertë të shoqërisë civile dhe veprimtarë të ndryshëm.

Shefi i njësisë mbështetëse të zbatimit të konventës mbi ndalimin e minave kundër personit në Gjenevë, Keri Berlej, thotë se Shqipëria doli nga harta e pasigurisë më parë se vendet e tjera të ndotura nga minat. Ai, duke përgëzuar për këtë të gjithë faktorët që realizuan pastrimin e terrenit nga minat, thotë se vendi ynë tani ka potenciale të mjaftueshme për të menaxhuar situatën dhe se në fushën e sigurisë nga minat dhe municionet ndodhet para vendeve të rajonit që kanë kaluar një konflikt. "Nuk ishte një problem që u shkaktua nga shqiptarët, por ishte një dramë që e vuajtën dhe janë duke e vuajtur shqiptarët, por për fat të mirë Shqipëria ishte në gjendje të krijonte vetë një qendër kombëtare për ta menaxhuar këtë gjendje dhe me ndihmën e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare ia doli më herët se ç`ishte parashikuar", tha Berlej. Në të vërtetë, në bazë të Konventës për Ndalimin e Minave kundër personit, Shqipëria kishte detyrimin të përfundonte pastrimin e minave anti-njeri në gusht të vitit 2010, ndërsa e realizon këtë gati një vit para afatit të vendosur. Në pranverën e vitit 1999, pushtuesit serbë që mbanin Kosovën nën sundim, ndotën me mina të ndryshme mbi 15 mijë hektarë tokë bujqësore, pyje dhe kullota në rrethet Has, Kukës dhe Tropojë, në zonën e kufirit me Kosovën, në një thellësi deri 20 kilometra në brendësi të territorit të Shqipërisë, duke krijuar një zonë të vdekjes dhe shkatërrimit mes dy pjesëve shqiptare. Në këtë zonë humbën jetën 24 persona, shumica nga Rrethi i Hasit, ndërsa 240 të tjerë u gjymtuan apo morën plagë të rënda nga shpërthimet. Dëmet materiale, me dhjetëra shtëpi të shkatërruar dhe hektarë të tëra toke të pashfrytëzueshme llogariten në rreth 200 milionë dollarë.

Donatorët më të mëdhenj për procesin e vështirë të çminimit që zgjati 10 vite janë Bashkimi Europian, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Danimarka, Kanadaja, Franca etj. Grupet e specializuara të çminimit, të vendit dhe partnerë të huaj, zbuluan dhe asgjësuan rreth 12 mijë mina anti-njeri, mbi 150 mina anti-tank, rreth 5 mijë municione të plasura e kështu me radhë. Një vijë e kufirit prej 130 km e Shqipërisë me Kosovën quhet tashmë e pastruar nga minat, duke u rikthyer së pari banorëve besimin dhe shpresën e jetës, por edhe turistëve dhe kujtdo tjetër sigurinë që afron një vend anëtar i NATO-s, siç është Shqipëria.