Shqipëria zë pozitën e 50’të në renditjen më të re të FIFA’s. Një sukses të tillë, kuqezinjtë nuk e kishin regjistruar kurrë më parë. Ekipi i Josip Kuzes ka përparuar për 23 pozita, duke grumbulluar 100 pikë më shumë se muajin e kaluar.


Nga Express më 14 prill 2011 në ora 12:29

Kombëtarja shqiptare e ka regjistruar rezultatin më të mirë në histori të saj, në renditjen botërore të Federatës Ndërkombëtare të FIFA-s. Kuqezinjtë, në renditjen e muajit mars, e shohin veten në pozitën e 50-të, një vend që nuk e kishin shijuar kurrë më parë.



Fitorja me rezultat 1:0 ndaj Bjellorusisë, në eliminatoret për Euro 2012, ka qenë vendimtare në përparimin e ekipit të Josip Kuzes në këtë renditje. Por, kjo nuk është e vetmja arsye. Ky ekip po shfaq lojëra të mira në këto eliminatore, duke u renditur në pozitën e tretë të Grupit D, aktualisht me 8 pikë, sa ka edhe Bjellorusia, që është e dyta.



Për këtë, portieri i Kombëtares, Samir Ujkani beson se ekipi i Kuzes mund të përfundojë lart në këto kualifikime. “Objektiv i Shqipërisë është që të arrijë në pozitën e tretë ose të dytë në grup. Franca është e sigurt në pozitën e parë, më pas janë Rumania e Bosnja, të cilat janë të forta, por që momentalisht janë prapa nesh”, theksoi portieri kosovar për ueb faqen oknovara.it.



Shqipëria gjithashtu e ka bërë ngritjen më të madhe në renditje, duke përparuar për 23 pozita, që prej kohës kur ajo është pjesë e kësaj statistike në vitin 1990. Ekipi kuqezi në këtë renditje ka 564 pikë, 100 më shumë se ajo e muajit të kaluar. Përpara Shqipërisë është Kolumbia, kurse prapa saj, Senegali. Në zonën e Evropës, kuqezinjtë gjenden në pozitën e 29-të.




Spanja mban fronin




Në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, kampioni i botës dhe i Evropës, Spanja, vazhdon ta mbajë fronin. Prapa ‘Stuhisë së Kuqe’ gjendet finalisti i Botërorit 2010, Holanda. Kurse Brazili ka kaluar në pozitën e tretë, duke përparuar për dy pozita.

Gjermania gjendet në pozitën e katërt, duke rënë për një pozitë dhe Argjentina është e pesta, edhe kjo një vend më poshtë. Në top 10 është rikthyer Italia, e cila i mungonte qe një kohë dhjetëshes së parë.




Renditja botërore e FIFA-s

1. Spanja1857

2. Holanda1702

3. Brazili1425

4. Gjermania1386

5. Argjentina1276

6. Anglia1163

7. Uruguai1094

8. Portugalia1052

9. Italia1019

10. Kroacia991

-----------------------

50. Shqipëria564