27/05/2010 Kërcënimi i Svobodës


Hanes Svoboda, zëvendëspresident i grupit të majtë në Parlamentin Evropian, ka kërcënuar me bllokim të regjimit të vizave, në rast se nuk zgjidhet kriza politike në vend. Deklarata e tij është bërë për televizionin “Top-Channel”, në të njëjtën ditë kur Kolegji i Komisionerëve i ka hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Megjithëse shumica e parlamentarëve evropianë kanë deklaruar se procesi i liberalizimit të vizave është teknik dhe jo politik, Svoboda është shprehur se të majtët nuk do të ndalen në iniciativën e tyre të bllokimit të procesit të integrimit, duke përfshirë dhe vizat, në rast se nuk gjendet zgjidhja politike. “Ne nuk do të ndalojmë iniciativën tonë derisa të kemi një zgjidhje dhe Shqipëria duhet ta dijë se pa zgjidhje, zhvillimi i marrëdhënieve me BE-në do të ketë shumë, shumë probleme, duke përfshirë këtu dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Nuk është qëllimi ynë të kërcënojmë, por të tregojmë rrugën për liberalizimin e vizave dhe negociatave për anëtarësim, dhe për këtë ne presim që Shqipëria të japë po ashtu kontribut”, tha Svoboda. Ndërkohë pyetjes se në ç’mënyrë do arrijnë e majtët të bllokojnë vizat e shqiptarëve, Svoboda i është përgjigjur: “Ne duhet të vendosim për liberalizimin e vizave. Pa Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave nuk bëhet”. Qëndrimi i zëvendëspresidentit të të majtëve në PE vjen vetëm pak ditë kur dy grupimet e majta kërcënuan për bllokim të procesit, me anë të një letre dërguar Berishës dhe Ramës. Nga ana tjetër, Svoboda nuk është hera e parë që bën deklarata të dyshimta që lidhen me çështjen shqiptare, siç ishte rasti kur propozoi ndarjen e veriut të Kosovës nga pjesa tjetër, gjë e cila shkaktoi jo pak debate mes europarlamentarëve.