Komuniteti Shqiptar i Miçiganit në SHBA kërkoi dje përpara se të niste Kuvendi në Shqipëri, që duhet të miratohet sa më parë ligji i dosjeve. Ky komunitet përpiloi një deklaratë të cilën ia dërgoi Departamentit te Shtetit amerikan, ku i kërkoi të ndërhynte me autoritetin e tij, për kalimin e ligjit të dosjeve në Parlamentin shqiptar. “Shqiptaro-amerikanët e këtij komuniteti (shtresa e të persekutuarve) mendon se kalimi i një ligji të tillë është shumë i vonuar. Kaluan afro 20 vjet nga demokratizimi i Shqipërisë dhe përsëri në krye të shumë institucioneve janë gjyqtarë e prokurorë, janë po ata që dënuan e pushkatuan, pa u penduar dhe pa iu dridhur qerpiku. Ende ka nga nomenklaturat komuniste, spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilët janë në politikë, në gjykatë, në prokurori, në çdo qelizë të jetës politike shqiptare. Ata duhet të largohen sa më parë. Askush më shumeë se populli shqiptar nuk ka vuajtur nga makina famëkeqe e Sigurimit të Shtetit, prandaj ligji për dosjet duhet miratuar pa humbur më kohë”, - thuhet në deklaratën e shqiptarëve të Miçiganit, drejtuar Departamentit të Shtetit.