Nga Express më 31 janar 2011 në ora 12:36

Shqiptarët në Mal të Zi e përjetojnë si provokim dhe uzurpim të trojeve të tyre etnike vendosjen e një kishe ortodokse serbe në malin e Rumisë, në zonën e Krajës.



Deputeti i partisë shqiptare në parlamentin malazez, Mehmet Bardhi, ia paraqiti këtë shqetësim kryeministrit të porsaemëruar Igor Lukshiq, duke kërkuar nga qeveria e Malit të Zi që t’i marrë masat ligjore për zhvendosjen e kësaj kishe nga zona e Krajës.



Bardhi këtë kërkesë e bëri gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, të zhvilluar në kuadër të ditëve të konsultimeve, duke theksuar se objekti në majën e Rumisë paraqet një provokim për pakicat tjera që jetojnë në këto hapësira.



“Përsëri Kisha Ortodokse do që në malin e majës Rumi njëherë të sjellë një kryq dhe pastaj më vonë pra edhe kishën, provokime të ndryshme. Maja e malit Rumi është maja më e lartë e Krajës”, tha Bardhi.



Edhe kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, ka kërkuar nga qeveria republikane që të zbatohet ligji për zhvendosjen e kësaj makete të metaltë në formë të kishës.



Ai tha se majën e Rumisë e kanë mbrojtur me shekuj myslimanët, të krishterët e ortodoksët dhe se kjo maje ishte vend pelegrinazhi për të gjitha komunitetet.



Kurse vendosjen e kishës aty, Krivokapiq e quajti përdhosje të vendit.