erion veliaj 1Qeveria përcakton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për pajisjen me certifikatë të regjistrimit në punë të shtetasve të huaj. Vendimi parashikon rastet kur një shtetasi të huaj i refuzohet regjistrimi në punë ose i anulohet certifikata e regjistrimit në punë.


Kërkesa për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë bëhet nga:


a)    i huaji;

b)    punëdhënësi, me të cilin i huaji ka një kontratë pune;

c)    personi i autorizuar nga punëdhënësi.


Personat e interesuar për tu  pajisur me certifikatë regjistrimi në punë, duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:


a)    Kërkesën për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë, sipas formatit të dhënë në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b)    Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

c)    Një kontratë pune ose vërtetim nga punëdhënësi, i huaj ose shqiptar;

ç)    Pesë fotografi;

d)    Për kategoritë e përcaktuara në shkronjën c, të pikës 2, dhe shkronjën b, të pikës 3, të nenit 73, të ligjit nr.108/2013, Për të huajt, i huaji duhet të paraqesë një kopje të marrëveshjes dypalëshe qeveritare ose të marrëveshjes ndërmjet institucioneve arsimore.


Personat paraqesin kërkesën për për tu pajisur me certifikatë regjistrimi në punë dhe dokumentacionin:


a)    pranë drejtorisë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kur i huaji është me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b)    pranë përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, në vendin e tij të origjinës ose në përfaqësinë diplomatike që mbulon vendin e tij të origjinës.


Nëse kërkesa paraqitet në drejtorinë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ajo, pasi shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe vlerëson se nuk është në përputhje me kërkesat e pikës 2, të këtij vendimi, i kërkon të huajit plotësimin e tij, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.


Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nëse vlerëson se dokumentacioni i paraqitur nga personat e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është i plotë apo, pas plotësimit të tij brenda afatit të përcaktuar, i përmbush kriteret e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 73, të ligjit nr.108/2013, e pajis të huajin me certifikatën e regjistrimit në punë, sipas formatit të përcaktuar brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.


Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ia kthen kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur personit , nëse ai nuk e ka plotësuar atë brenda afatit.


Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, refuzon kërkesën për pajisjen me certifikatë regjistrimi në punë të personit, megjithëse ka plotësuar dokumentacionin e kërkuar, vlerësohet se nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në këtë vendim apo në Ligjin për të Huajt


Nëse kërkesa është paraqitur pranë përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, në vendin e origjinës të të huajit ose pranë përfaqësisë diplomatike që mbulon vendin e tij të origjinës, kjo e fundit, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, e përcjell dokumentacionin e paraqitur pranë saj në drejtorinë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.


Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për pranimin/refuzimin e të huajit për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë, ndjek procedurat e përcaktuara në këtë vendim.


Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përcjell në Ministrinë e Punëve të Jashtme njoftimin për pranimin/refuzimin e kërkesës së të huajit për  tu pajisur me certifikatë regjistrimi në punë. Ministria e Punëve të Jashtme njofton përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, në vendin e origjinës të të huajit, për pranimin/refuzimin e kërkesës së të huajit, për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë.


I huaji, të cilit i refuzohet ose i anulohet pajisja me certifikatë regjistrimi në punë, ka të drejtën e ankimimit, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 2, të nenit 81, të ligjit nr.108/2013, Për të huajt. Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, bën regjistrimin e të huajve, shtetas të BE-së, që plotësojnë kushtet e punësimit për përjashtim nga detyrimi i pajisjes me leje pune, sipas neneve 72, shkronja a, dhe 73, pikat 1, 2 e 3, të ligjit nr.108/2013, Për të huajt.