Andi Kananaj


Shteti ynë legen është temë që vazhdon të na angazhojë sistematikisht. Shteti ynë legen artikulohet në media pikërisht nga ata që e kanë kthyer në një vënie teatrale mesjetare. Teksa krijohet përshtypja naive se drejtësia do të triumfojë në xhiron e 10 ditëve, shfaqja vazhdon, për të impenjuar kërshërinë e publikut të këtij shteti legen. Hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme i jepet drejtim në SHBA, dhe vetëm kur amerikanët konfirmojnë atë që ne e kemi parë live në bulevard, ekzekutuesit rikthehen në skenë për ndonjë orë, për të aktruar pjesën me të dënuar. Ambasadori amerikan del krahas Prokurores së Përgjithshme në deklaratën për shtyp, ndërkohë që kjo e fundit humb në kredibilitet teksa mban në duar rezultatet e hetimeve të FBI-së. Ndoshta do të ishte me vend që për ata më kuriozët për fatin e hetimeve, të viheshin në dispozicion e-mailet e ekspertëve të huaj. Ndërkohë që ambasadori përkrah kryeorganit të akuzës, tradhëton të vërtetën e hidhur, që Kryeprokurorja nuk do as përgjegjësi për atë që ka lexuar.


Kështu si kanë ardhur punët, le të shpresojmë që ambasadori të mos vendosë të na lërë, sidomos tani që dimë se kemi një shtet pa sovranitet. Kjo nuk përbën më problem, edhe pse që të flasësh për sovranitet funksional, do të duhej që minimumi të kishim një ngrehinë. Ndarja e pushteteve nëpër tre, katër, e të tjerë pushtete, si në libra e në filma, nuk duket se është mirëpritur nga aktorët në fjalë. Ndarja me fise ka gjasa të jetë më serioze. Në kushte të tilla kur duhet të luhet teatri i shtetit post-modern, atij post-të qytetëruarit, diplomacia është shndërruar në alegorinë e kriçetit që rend e rend pafundimisht në rrotë, për të gjetur një fund dikur. E ndërkohë vazhdojmë të flasim për shtet. Pas 21 janarit flitet ende dhe seriozisht për shtet. Pasi ata të Kryeministrisë fshinë regjistrimet e kamerave të sigurisë, të një ngrehinë që duket se ka për zemër vetëm sigurinë e dhomave të veta. Shtet që kryezyrën e ka si KULLË gjaksash, prej nga dilet veçse për të vrarë, e po iu avite, ke marrë veten në qafë.


Pas 21 janarit 2012, mund të thuhet se administratën e vërtetë e kemi në SHBA, dhe që pasë gjase, raportet për integrimin do të duhet të plotësohen atje. Po deshën amerikanët të lodhen për ne, popullin më të vjetër në botë, teatri me shtet do të ofrojë shfaqje të tjera. Përndryshe fasada do të bjerë, e ne të gjithë do të nxjerrim jataganët. Vetëm se SHBA minimalisht, kanë problemet e tyre për të zgjidhur. Teknikat ballkanike të të marrit me të mirë udhëtarët, që më pas ti grabisin, nuk mund të kenë sukses përgjithmonë.


Një deputete e PD tha në këtë moment në TV Klan, se vetëm një plumb i pistoletës së Komandantit të Gardës ka vrarë vetëm një protestues. Ndoshta prandaj e kanë arrestuar. Duhej të kish vrarë 11, aq sa plumbat e shkrehur. Logjika e ftohtë përballet me një shtet kriminal të cilit i dalin zot të zgjedhurit e popullit me prirje sadiste. Ndërkohë që logjika e përfshirë në lojën skenike, nuk i ndahet debatit, deri në batutën e fundit.


Opozita prej kohësh nuk guxon të ngrihet kundër rolit ornamental të prokurorisë. Sulmi do ta çonte Kryeprokuroren andej nga u nis, te Kryeministri i shtetit mizaskenë (messa in scena), në një kohë që socialistët nuk duan të ushqejnë të tjera armiqësi të llojit. Futja në listë edhe e prokurorisë, do të komplikonte llogaritë e nevojshme për tiu qarë ndërkombëtarëve.


Këtij shteti i del zot Fahri Balliu. I del zot Cim Peka. I dalin zot ata që ngrenë biznese si të Gërdecit, të importimit të plehrave. Ata që i dalin zot janë pajisur me vullnet çeliku për ti degdisur faktet me fjalët e tyre në një tjetër planet, brenda të njëjtës kohë televizive.


Këtij shteti i dalin zot kriminelët, e kaq do të duhej të mjaftonte që të ngriheshim për ta ndryshuar, pa pritur që suflerët të vazhdojnë të na sugjerojnë se si të pajtohemi organikisht me sistemin që na vret çdo ditë.


E ndërkohë, the show must go on.