Autori i Lajmit: red.
Prokurori i Krimeve të Rënda ka propozuar një tjetër variant për të shmangur shtyrjen e procesit gjyqësor në ngarkim të Bandës së Durrësit. Prokurori i çështjes ka kërkuar që në sallë të rrinë në gatishmëri edhe 5 avokatë rezervë që, në rast të mungesës së ndonjë prej avokatëve, që kohët e fundit është bërë modë, të zëvendësohet me një nga rezervat. Ky propozim është marrë nga gjykata dhe pritet që trupi gjykues të shprehet në seancat e ardhshme për këtë propozim. Ky propozim është bërë në seancën e djeshme ku sërish, për shkak të mungesës së avokatëve, çështja njohu shtyrjen e radhës. Shkak për shtyrjet e qëllimshme të seancave është bërë dëshmia e Adritaik Colit, të penduarit të bandës, i cili pritet të hedhë dritë mbi shumë krime të kryera nga kjo bandë. Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale. Më pas, mes drejtuesve të kësaj organizate, ka pasur konflikte si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me kontrollin e trafikut të drogës dhe kontrollin e pasurive të vëna nga këto trafiqe, duke çuar në ndarjen e tyre. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë ato të trafikim të lëndëve narkotike dhe të kontrabandës.





Ky lajm është publikuar: 24/04/2009