Edhe pse ka dashur të japë një mesazh pajtues dhe emancipues, filmi i regjisorit malazez me banim në Amerikë, Roko Markoloviç, nuk ka mundur t‘i shpëtojë qerthullit absurd ku vërtiten mendësitë, psikologjitë dhe ndasitë ballkanase edhe pse të njëjta në lloj. Kjo dhe për faktin e një dekade të përgjakshme që i thelloi më tepër këto ndasi. Simbol i tyre mbetet gjithnjë Sarajeva e tri feve ose raportet shqiptaro-sllave të shfaqura në marrëdhëniet me serbët, maqedonasit apo malazezët. Por çfarë ndodh me njeriun jo entik, jo fetar, me njeriun global, ose njeriun që ka si kult falje ka zemrën e tij, pa i mohuar kurrsesi dy të parat?! Markoloviç, ka trajtuar një variant ballkanik të "Romeo e Xhuljetës", duke vënë përballë një vajzë nga Kosova e një djalë nga Ulqini, të cilët dashurohen marrëzisht me njëri-tjetrin, duke tejkaluar çdo ndasi dhe diferencë mentaliteti. Subjekti i përzgjedhur për filmin "Fati im: një histori dashurie shqiptare", nuk është ndonjë gjetje e rrallë. Është i njohur frymëzimi që provokon gjithnjë legjenda e Romeos dhe e Xhuljetës për të hartuar subjekte me temë ngadhënjimin e ndjenjës së dashurisë, qoftë dhe me përfundimet fatale. Kështu ka vepruar dhe Roko Markoloviç së bashku me dy aktorët protagonistë Ari Myrtai dhe Diana Cena. "Në fillim tingëllonte pak a shumë si "Romeo e Xhulieta" thotë Markoloviç për një agjenci lajmesh, i cili gjithashtu jep mësim në "Global Enterprise Academy" në Bronksin Verilindor. "Doja që të ishte diçka më shumë se kaq, ndaj dhe i shtova një gërshetim historisë. Tani mendoj se është më e arrirë se ‘Romeo dhe Xhulieta", shprehet malazezi. Filmi "Fati im: një histori dashurie shqiptare" u shfaq premierë javën e kaluar në Bronks. Ky film konsiderohet filmi i parë shqip me metrazh të gjatë i xhiruar krejtësisht në SHBA. Ajo që befasoi pas shfaqjes së filmit, ishin reagimet kundrejt regjisorit dhe aktores shqiptare, Diana Cena, sipas disa agjencive të huaja që kanë shkruar për filmin. Në komentet e tyre thuhet se disa shqiptare (por nuk specifikohet se cilët), kanë kërkuar që regjisori malazez, të heqë nga mbiemri prapashtesën e njohur sllave "viç", me pretendimin se u përngjan si serb. Por në fakt, regjisori është një malazez, e ka thënë se mbiemri i tij, është fare i zakonshëm në trevën nga vjen. Kokëçarja tjetër, ka qenë për aktoren kryesore, Diana Cena. Ajo ka një skenë puthjeje me partnerin e saj në rol, Martinin, por kjo nuk u ka ardhur fort për osh, spektatorëve shqiptarë në kinemanë e Bronksit, ku është shfaqur filmi. Shkak i kundërshtisë së skenës rozë, ka qenë fakti se Diana (që luan vajzën kosovare të quajtur Hana), është e martuar. Por vetë aktorja i ka injoruar këto pretendime e madje është shprehur për një emancipim të gruas shqiptare në disa drejtime të jetës sociale e private. Në një agjenci lajmesh shkruhet se Diana Cena shpreson që filmi t‘u japë kurajë grave shqiptare. "Për nga karakteri Hana (si personazh) është shumë e mprehtë. Ajo është përpara kohës", thotë aktorja që e luan. "Shpresoj që filmi të japë mesazhin që gratë shqiptare të shihen si të emancipuara, shprehet aktorja Cena. Ndërsa kolegu i saj, Ari Myrtai, citohet të ketë thënë: "Mendoj se filmi jep një mesazh të fuqishëm. "Më shqetëson fakti që kultura jonë është akoma tepër e shtrënguar. Shpresoj që njerëzit ta shohin filmin dhe të thonë: Duhet ta ndryshojmë këtë situatë dhe t‘i bëjmë gjërat më të mira për fëmijët tanë". Në film, Martini nga Ulqini dhe Hana nga Kosova dashurohen me njëri-tjetrin në një realitet të mbushur me paragjykime. Dhe ato nuk mungojnë të shfaqen kërcënueshëm. Dhe aty ku pritej: në familjet e dy palëve që ndërsjelltazi nuk janë dakord me lidhjen e tyre. Djali dhe vajza, nuk tentojnë më patjetër të shkojnë drejt akteve flijuese. Përkundrazi, për të respektuar dëshirën e prindërve, ata i japin fund romancës, por kërkojnë dhe një shpjegim për këtë, e pikërisht këtu qëndron gërshetimi i situatave, për të cilat regjisori Markoloviç, pretendon se ka një tejkalim të "Romeo e Xhuljetës". "Pata dëshirë të realizoja një film artistik me një mesazh të fortë; pikërisht me mesazhin që kur njerëzit dashurohen nuk ka rëndësi se nga janë", shprehet Markoloviç, që gjithashtu ka refuzuar të bëjë ndërhyrje në mbiemrin e tij. Ai ka deklaruar se është rritur mes konflikteve rajonale ballkanase dhe ndaj pati dëshirë të realizonte një histori dashurie në këtë ambient të rënduar paragjykimesh. Gjithashtu, për ndryshim nga "Romeo e Xhuljeta", filmi nuk është tragjedi, por qëndron më afër komedisë romantike dhe është xhiruar tërësisht në një ambient shqiptar. Kjo, na kujton një film të ish-Kinostudios, "Çifti i lumtur", i cili në gjininë e komedisë, jepte mesazhin e shuarjes së dallimeve dhe ndasive fetare.