Viti 2007 duket se ka qenë shumë i mbarë për industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve bazë në Shqipëri. Statistikat tregtare të ACIT, nxjerrin në pah se eksportet e kromit gjatë vitit të kaluar gati u trefishuan, duke arritur në 36.4 milionë euro. Eksportet e xeherorit të bakrit u rritën me 14 herë, duke arritur në 7.7 milionë euro. Eksportet e hekurit arritën në 5.5 milionë euro. Eksportet e mbetjeve dhe skrapit të bakrit arritën në 20 milionë euro, me rënie kundrejt vitit 2006.Por ndërsa eksportet e mineraleve bazë janë rritur me shumëfishim, produktet përfundimtare nuk e kanë njohur këtë bum. Nga produktet e gatshme, eksportet e hekurit arritën në 32.7 milionë euro, me një rritje 15.4% kundrejt vitit 2006.


Përfitime të vakëta për vendinEksportet e mineraleve dhe skrapit po zënë një pjesë në rritje të eksporteve totale shqiptare, por përfitimi ekonomik nga ky aktivitet është shumë i dyshimtë. Nga xhiroja e biznesit në industrinë minerare, në Shqipëri mbeten vetëm pagat për minatorët dhe një tatim-fitim prej 10%. Pjesa tjetër e fitimeve shkon për kompanitë koncesionmarrëse, të cilat po shijojnë rritjen dramatike të kërkesës për metale në tregun ndërkombëtar. Vetëm pak vite më parë, Shqipëria arrinte në nxirrte krom e bakër nga nëntoka e vet, por e kishte të pamundur ta shiste për shkak të një situate pothuajse monopoliste të kromit rus në tregun ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit, rritja e kërkesës në Kinë dhe Indi krijoi treg edhe për eksportet shqiptare, të cilat janë në vlera të papërfillshme në tregun ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë vendi i dytë në botë për prodhimin e kromit në vitet ’60.