Kur 6 vjet më parë Shekulli nisi të editonte një rubrikë të letrave nga lexuesit, ishin shumë ata që mendonin se kjo ishte e kotë, madje ishte një atavizëm i shtypit komunist, një lloj kthimi prapa, etj. Historia e gazetës këto vite dëshmoi të kundërtën.


Ndaj mendoj se shpesh ato që arrijmë kanë sens të kundërt nga pritshmëritë e para të kushtëzuara zakonisht nga paragjykimet.


Prej asaj kohe Shekulli është përpjekur vazhdimisht të bëj ndryshime dhe të modulojë rubrika të reja.


Gazeta ka ruajtur „me kokëfortësi“ tendencën për të qenë në lidhje me lexuesin e vet. Ky Blog na jep një tjetër mundësi komunikimi. Shpesh këtu qajmë hallet e gjithë botës, dhe mirë bëjmë. Po le të meremi njëherë edhe me veten tonë..


Si një nga drejtuesit e kësaj gazete, ndjej shpesh nevojën që të di se çfarë duan dhe çfarë mendojnë lexuesit e mi dhe të kolegëve të mi.


Ndaj sot kam disa pyetje direkte, për të cilat shpresoj të gjeni kohë të flasim:


Si e vlerësoni lajmet, informacionin që lexoni te Shekulli? Cilën nga rubrikat vlerësoni më shumë ose ju duket më e dobët? Si ju duken opinionet, komentet, analizat? Po rubrika të tilla si Mendimi Juaj apo Kontakt ? A keni ndonjë gazetar të preferuar?


Më e rëndësishmja: Çfarë bëjmë mirë, çfarë bëjmë keq dhe çfarë mund të përmirësojmë në punën tonë?


Mund të jepni sigurisht mendimet tuaja edhe jashtë fokusit të këtyre pyetjeve. Përgjigjet tuaja do të jenë një ndihmë e madhe për këtë redaksi. Shpresoj që në debat të përfshihen edhe lexuesit tanë online edhe ata të kopjeve fizike që dalin në treg. Faleminderit për kohën tuaj!