Antena brenda familjes






Lajmi për trafikantin shqiptar të drogës në shërbimin diplomatik u fsheh për gati tri ditë me vetëdije nga strukturat shtetërore shqiptare. Ministria e Jashtme dhe Interpoli fshehën për tri ditë lajmin dhe filluan të marrin masa për të ndërruar dhe identitetin, dhe moshën e trafikantit. Nëse lajmi nuk do bëhej i ditur nga media italiane, ai nuk do ishte bërë kurrë publik në Tiranë.



Ministria e Jashtme nuk jep asnjë shpjegim, pse e ka fshehur lajmin. Burime brenda saj thonë se fillimisht ministri Basha është gëzuar, pasi ka menduar se do të ketë një armë në dorë për të sulmuar ish-ministrin Mustafaj, por s’kanë kaluar dhjetë minuta dhe i ka rënë telefoni. Pas telefonatës ai ka ndryshuar qëndrim dhe ka urdhëruar të mbulohet sa të mundet lajmi.


E njëjta gjë ka ndodhur dhe me zyrën e Interpolit në Ministri të Brendshme. Ajo është e detyruar të lajmërojë ministrin për situatën, por nuk e ka bërë. Ajo ka shmangur dhe detyrimin për ta përfshirë emrin në komunikatën e saj ditore.



Miku i rubrikës sonë, Flamuri, që i njeh mirë këto skutat e pushtetit, ka shpjegimin e tij.



- Në Interpol nuk ka faj Nishani, - thotë Flamuri.


- Ndalimin e informacionit e ka bërë “Qukapiku”. Ju nuk e njihni “Qukapikun”, - tha, - po ai është i tmerrshëm. Është shoku i ngushtë i Shkëlzenit dhe Rafit. “Qukapiku” është mjeshtër për këto gjëra. Sa e mori vesh, e zhduku lajmin. I shkreti Bujar, pas tri ditësh kërkonte informacion dhe nuk ia jepte njeri. Nuk ka faj fare Bujari aty. “Qukapiku” e ka pas shok të ngushtë vetë atë që u kap me drogë. Se nuk ua mbush mendjen “Qukapiku”, po është shumë i qartë. I vetmi që kërkoi direkt atë vend pune që më 2005. Dhe ne u çuditëm, se ai ishte shok i Shkëlzenit, mund të bëhej ç’të donte. Po jo, kërkoi vetëm atë vend pune.


Dhe te Ministri e Jashtme mos i bini më qafë Lulit. Janë ata mjeshtërit e tjerë aty që e mbajnë sekret. Se ky është emëruar në një ditë me dikë tjetër nga familja e Rrahmanit aty, po s’më kujtohet tani. Se e mbaj mend, kur është emëruar. S’di ç’të them më tepër, por është e sigurt se dhe aty jemi çuditur nga kërkesa konkrete që kishte. Se janë ca njerëz që të bezdisin, kur kërkojnë punë. Thonë “më gjej një punë çfarë të duash ti”. Kurse këta të Shkëlzenit janë të qartë. Këta e dinë ç’duan dhe vetëm atë kërkojnë.



- Di gjë ti, sa vjeç është tamam ky që është kapur me drogë?


- Nuk e di vallahi, por nuk është 33 sa thanë në fillim. Dhe Besnikut ia fusin kot që gjoja ka qenë kamerier, kur ka qenë fushatë e Besnikut. Atëherë ai s’ka qenë fare. Besnikut i ka thënë Rafi me Zenin ç’të bënte. Dhe s’është se i kanë kërkuar ndonjë gjë të madhe. Shofer ambasade i kanë kërkuar, normal që do ta bënte. Problemi është se ata janë të qartë se çfarë kërkojnë dhe përse i kërkojnë. Ku të gjesh njerëz të tillë, o mixhë. Unë u torturova, se nuk dinë ç’kërkojnë njerëzit prej meje. Të kisha unë kërkesa nga grupi i Shkëlzenit, ua bëja brenda ditës, se ata e dinë ç’duan.